Shkodrani Ardian Zaganjori ka marrë pjesë në Kongresin e 69-të Botëror të Shoqatës Ndërkombëtare të Policisë (IPA), duke përfaqësuar seksionin shqiptar të kësaj organizate në një aktivitet që mblodhi delegatë nga vende të ndryshme të botës.
Kongresi u mbajt në Colombo të Sri Lankës, ku përfaqësues të organizatave policore ndërkombëtare u bënë bashkë për të diskutuar mbi bashkëpunimin, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe zhvillimin e mëtejshëm të organizatës.
Në qendër të këtij organizimi ishte motoja “Servo per Amikeco”, që përkthehet “Shërbim përmes Miqësisë” dhe mishëron parimet mbi të cilat funksionon Shoqata Ndërkombëtare e Policisë.
Përgjatë kongresit u zhvilluan takime dhe diskutime për forcimin e marrëdhënieve profesionale e miqësore mes përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse, si dhe për çështje që lidhen me të ardhmen e IPA-s.
Pjesëmarrja e Ardian Zaganjorit në këtë aktivitet ndërkombëtar përbën një tjetër rast të përfaqësimit të Shkodrës në takime që bashkojnë profesionistë nga vende të ndryshme të botës.

