Pas riparimeve të nevojshme, instalacioni “Lahuta e Malcisë” është rikthyer në bulevardin At Gjergj Fishta në Lezhë, pasi kishte pësuar dëmtime gjatë protestave të zhvilluara nga të rinjtë në qytet. Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, e bëri publik lajmin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku, përveç informimit për rivendosjen e instalacionit, adresoi kritika ndaj kundërshtarëve të tij politikë në lidhje me akuzat që kishin bërë ndaj bashkisë.
“Instalacioni i ‘Lahutës së Malcisë’ u rivendos aty ku i takon! Lum ne për nderin që kemi të kemi një emër të madh si At Gjergj Fishta! Mjerë ne për dallaverexhinjtë politikë, që përpiqen t’i mbulojnë apo justifikojnë aktet vandale me përralla inskenimesh! Sa e shëmtuar ishte ajo që ndodhi, po aq banale ishte përpjekja për të na e faturuar neve, me pretendimin qesharak se gjoja e paskemi sajuar vetë! Dhe një gjë për ata që sot bëjnë sikur u digjet zemra për Fishtën:”
Ndreu iu drejtua kundërshtarëve të tij, duke theksuar:
“Po ta donit e respektonit kaq shumë Fishtën, nuk do ta kishit ‘nderuar’ bulevardin që mban emrin e tij me një gomë makine në rrethrrotullim!”
“Fishta nuk nderohet me hipokrizi politike, por me vepra dhe respekt për trashëgiminë që na la! shkruan Ndreu.”

