Një histori e vështirë sociale vjen nga Puka, ku Pashk Paluca jeton me nënën e tij në kushte të rënda ekonomike, në një banesë që rrezikon të shembet. I riu është arrestuar nga policia gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë, ndërsa familjarët kërkojnë lirimin e tij.
Të afërmit e Pashk Palucës kanë bërë publike situatën e vështirë në të cilën jeton i riu, duke ngritur shqetësimin për gjendjen e tij shëndetësore dhe sociale.
Sipas familjarëve, Pashku përballet jo vetëm me varfërinë ekstreme, por edhe me probleme të shëndetit mendor. Ai jeton së bashku me nënën në një banesë në gjendje të amortizuar, ndërsa mundësitë e familjes për të përballuar nevojat më elementare janë të kufizuara.
Në këto rrethana, arrestimi i tij gjatë protestës në kryeqytet ka shtuar shqetësimin e familjarëve, të cilët kërkojnë që autoritetet të marrin në konsideratë gjendjen e tij dhe kushtet në të cilat jeton.
Përmes apelit të tyre, ata kërkojnë lirimin e Pashkut dhe që rasti të trajtohet me kujdes, duke vlerësuar edhe problematikat shëndetësore që, sipas tyre, ai ka.
Deri në këto momente, nuk ka një informacion zyrtar të konfirmuar mbi rrethanat konkrete të arrestimit të të riut apo masat që mund të merren ndaj tij.
Burimi Portali Veriu Sot

