Një incident serioz ka shkaktuar frikë dhe kaos në një tavernë në Selanik, pasi një shqiptar 45-vjeçar, që po ngiste makinën në gjendje të dehur, e humbi kontrollin dhe u fut me automjet në mes të tavolinave, duke plagosur tre persona. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 të së dielës në zonën e Evosmosit.
Sipas raportimeve, makina doli nga rruga dhe goditi ambientin e jashtëm të tavernës që ndodhet në rrugën Agamemnonos, duke shkatërruar mobiliet dhe duke përplasur klientët. Dëshmitarë okularë thanë se evitimi i një tragjedie masive u arrit për shkak të vazo të mëdha me bimë, të cilat ndodheshin përreth lokalit dhe ndaluan avancimin e automjetit.
Si pasojë e aksidentit, tre persona morën plagë. Dy prej të lënduarve janë lëshuar nga spitali, ndërsa një tjetër po vazhdon trajtimin mjekësor, por gjendja e tij është e qëndrueshme dhe nuk rrezikon jetën.
Pronarja e tavernës ka treguar çastet e panikut, duke theksuar se situata mund të kishte rezultuar shumë më tragjike.
“Nëse nuk do t’i kishim vazot, do të kishim funerale”, deklaroi ajo, duke shtuar se kishte dalë jashtë lokalit vetëm pak para se të ndodhte ngjarja.
“Pashë tmerr dhe panik, ishte sikur po shihnim një film”, rrëfeu pronarja.
Në dëshminë e një klienteje, bashkëshorti i së cilës mbeti i plagosur dhe është i shtruar në spital, theksohet se 45-vjeçari shqiptar u përpoq të largohej menjëherë pas aksidentit. Megjithatë, ndërhyrja e klientëve e pengoi atë të arratisej, madje përdorën edhe karrige për ta ndaluar.
Një tjetër grua, e cila gjithashtu u plagos, tregoi se kishte pasur fat që kishte shpëtuar, ndërsa përshkroi frikën dhe hutimin që përfshiu të gjithë të pranishmit kur makina hyri mes tavolinave.
Policia greke arrestoi drejtuesin e mjetit, ndërsa analizat e alkoolit treguan se ai kishte konsumuar pije alkoolike para se të ngiste makinën.
Për 45-vjeçarin rëndojnë akuza për drejtim të rrezikshëm të automjetit, shkaktim të dëmtimeve trupore nga pakujdesia ndaj disa personave, si dhe drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.
Ai është dërguar në Gjykatën Penale me Procedurë të Përshpejtuar dhe vazhdon të mbahet në paraburgim.

