Në moshën 84-vjeçare, Mrika Gjini nuk ka ndërmend të tërhiqet nga aktivitetet e përditshme që kanë shoqëruar gjithë jetën e saj. Çdo ditë, ajo përballon një rrugë prej 10 kilometrash në këmbë për të çuar bagëtinë në kullotat e malit të Shelbuemit.
Banore e lagjes Shehër në Lezhë, Mrika është rritur midis bagëtive dhe dashurisë për blegtorinë. Që në moshën 8-vjeçare, ajo nisi të kujdeset për kafshët shtëpiake, traditë që e ndjek ende sot, pas më shumë se shtatëdhjetë vitesh përvojë.
Edhe pse ka kaluar të tetëdhjetat, Mrika thotë se puna me bagëtitë është pjesë natyrale e jetës së saj. Ajo nuk e trajton këtë aktivitet si një barrë, por si mënyrën më të mirë për të qëndruar aktive. Kafshët mbahen për konsum familjar, jo për shitje.
“Këtë forcë më ka dhënë Zoti për të mbajtur fëmijët e mos me pas nevojë me ia shtri dorën askujt. Bagëtitë i mbaj për vete, siguroj qumëshin e mishin për familjen. Ndonjëhere shes keca sa për të siguruar grazhdin e bagëtive për dimër”, shprehet nënë Mrika për Report TV.
Pavarësisht viteve që kalojnë, dëshira e saj për të punuar nuk është fashitur. Mrika tregon se nuk ka ndërmend të largohet nga kjo mënyrë jetese për sa kohë që ka shëndet, duke ruajtur lidhjen me traditat e hershme të familjes së saj.
“Fëmijët kanë kërkuar këto vitet e fundit që unë t’i heq bagëtitë por s’kam pranuar se kam dëshirë të dal vete me to në mal”, shton më tej.
Përtej rrëfimit të jetës së saj, 84-vjeçarja ka një këshillë edhe për të rinjtë, veçanërisht ata që kanë zgjedhur të largohen nga vendi në kërkim të mundësive më të mira.
“Duhet të punojnë në vend të tyre dhe s’kanë nevojë të ikin se vjen Europa këtu për vizita dhe thotë se është mirë Shqipëria”, shton më tej.
Përvoja e gjatë e Mrika Gjinit dëshmon se dashuria për tokën dhe blegtorinë mbetet çelësi i jetëgjatësisë së saj.

