Ardit Çylybyli, kryetar i Partisë Demokratike në Shkodër, ka mbajtur një takim me përfaqësues të strukturave të Rajonit Nr. 3 për të diskutuar çështje të brendshme organizative, forcimin e rrjeteve të anëtarësisë dhe përfshirjen më të madhe në aktivitete të terrenit.
Çylybyli njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se diskutimet u përqendruan te nevoja për rinovimin e seksioneve, shtimin e kontributit të demokratëve dhe përmirësimin e komunikimit me qytetarët.
Statusi plote:
Sot, së bashku me një pjesë të strukturave të Rajonit Nr. 3, zhvilluam një takim ku diskutuam hapur problematikat, shqetësimet dhe sfidat që kërkojnë zgjidhje konkrete.
Në fokus të diskutimit ishte nevoja për ripërtëritjen e seksioneve, daljen në terren, forcimin e anëtarësisë dhe rritjen e angazhimit të çdo anëtari të Partisë Demokratike. Një pjesë e rëndësishme e takimit ishte edhe organizimi i foltores të Kryetarit të PDSh z. Sali Berisha gjatë muajit tetor në Shkodër, si një mundësi për të dëgjuar qytetarët, për të shkëmbyer ide dhe për të forcuar komunikimin me ta.
Besoj se forca e një partie qëndron te njerëzit e saj, te bashkimi, te përgjegjësia dhe te gatishmëria për të qenë pranë qytetarëve në çdo kohë. Strukturat duhet të jenë aktive, të hapura dhe të lidhura ngushtë me komunitetin, duke dëgjuar çdo shqetësim dhe duke punuar për zgjidhje konkrete.
Rruga përpara kërkon bashkim, angazhim dhe besim te njëri-tjetri. Çdo demokrat ka një rol të rëndësishëm, çdo qytetar meriton të dëgjohet dhe çdo strukturë duhet të jetë e pranishme aty ku njerëzit kanë nevojë.
Me energji të reja, me përgjegjësi dhe me vendosmërinë për të ecur përpara së bashku, le ta kthejmë angazhimin tonë në veprim dhe besimin në përgjegjësi!
Së bashku me qytetarët, pranë njerëzve dhe në shërbim të komunitetit!

