Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka, është paraqitur mëngjesin e kësaj të enjteje në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
Gaçi është parë i shoqëruar nga avokati i tij, teksa është futur në ambientet e SPAK.
Nuk dihen ende arsyet e paraqitjes së sotme të Gaçit në SPAK, ndërsa kujtojmë se emri i tij është lakuar në hetime dhe kallëzime për pronat në jug të vendit dhe statusin e investitorit strategjik të përfituar për projektin e tij në Himarë.
Në qendër të çështjes është një sipërfaqe prej rreth 5,512 metrash katrorë në Gjilekë, për të cilën janë ngritur pretendime për parregullsi në dokumentacionin e pronësisë. Gaçi kishte përfituar më pas statusin e investitorit strategjik për projektin e tij në këtë zonë.
Sipas kallëzimit t% depozituar në SPAK, Artan Gaçi dyshohet për falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale, ndërsa Olta Xhaçka është kallëzuar për shpërdorim detyre.

