Një incident i rëndë tronditi këtë të mërkurë qytetin Ostrołęka në veri të Polonisë, ku një sulm me mjet prerës ka ndodhur brenda një shkolle profesionale.
Sipas të dhënave zyrtare, sulmi ka lënë të plagosur dhjetë persona, përfshirë pesë nxënës, dy mësues, dy kalimtarë dhe vetë autorin. Autoritetet kanë sqaruar se asnjëri prej të plagosurve nuk është në rrezik jete, ndonëse njëri prej tyre ndodhet në gjendje më të rëndë. Disa nga të lënduarit janë transportuar në spital me helikopter.
Ngjarja u shënua rreth orës 11:00 në ambientet e kompleksit të shkollës profesionale numër 4, ku autori i dyshuar – një 19-vjeçar, nxënës i këtij institucioni – kreu sulmin.
Pasi ndërmorri aktin, i riu u largua nga ambientet e shkollës, por u kap nga efektivët afro një kilometër larg, pranë një bregu lumi. Prokuroria informoi se gjatë ndalimit ai ishte i plagosur si pasojë e vetëdëmtimit, dhe më pas është dërguar menjëherë në spital.
Motivi i agresionit mbetet ende i paqartë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë detaje të sakta për llojin e armës së përdorur; megjithatë, dyshohet se bëhet fjalë për një hanxhar.
Gjatë kontrollit në shkollë, u gjet një çantë e dyshimtë, që sipas policisë mendohet të jetë lënë nga autori. Përmbajtja e saj është ende nën verifikim. Uniformat blu bënë të ditur gjithashtu se 19-vjeçari kishte qenë më herët në vëmendje të tyre për posedim të një sasie të vogël lëndësh narkotike.
Shkolla është mbyllur përkohësisht, teksa autoritetet kanë hapur hetimet për të zbardhur ngjarjen.

