Fshati Dukat Fushë është përballur së fundmi me një valë vjedhjesh që kanë ndodhur gjatë netëve të fundit. Deri më tani janë evidentuar afro 10 raste të banesave të grabitura, me në shënjestër kryesisht shtëpitë e pronarëve që banojnë jashtë Shqipërisë, por nuk kanë shpëtuar as banesat e banuara dhe bizneset lokale.
Banorët raportojnë se autorët qëndrojnë të maskuar, veprojnë natën dhe dyshohet se bëhet fjalë për të paktën dy persona. Ndërkohë, sipas tyre nuk mund të përjashtohet që të ketë të tjerë që ndihmojnë, duke siguruar informacion ose duke monitoruar lëvizjet në zonë. Pamjet e një kamere sigurie tregojnë dy persona duke thyer xhamat dhe duke hyrë në një shtëpi.
Sipas dëshmive të banorëve, autorët kanë rrëmbyer gjithçka që kanë mundur të gjejnë, duke filluar nga orendi dhe sende me vlerë, e deri tek kabujt ose pajisjet elektrike. Në një rast, grabitësit kanë përdorur spraj irritues kundër pronarëve të shtëpisë, ndërsa kamerat e sigurisë janë shkatërruar gjatë veprimtarisë së tyre.
“Kanë vjedhur disa familje, kanë prerë telat dhe kanë marrë instalimet. Edhe kamerat i kanë prishur. Marrin çfarë u del përpara. Pa një njeri të brendshëm nuk vjen njeri, dikush duhet t’u tregojë”, thotë një banore.
Shumë banorë janë të bindur se grabitësit kanë dijeni të hollësishme për zonën dhe për shtëpitë që janë të boshatisura, ndoshta nga persona të njohur për komunitetin. Ata theksojnë gjithashtu se janë shënjestruar edhe banesa të banuara, duke rritur ndjeshëm ndjenjën e pasigurisë.
“Kanë hapur 3-4 shtëpi dhe pa një të brendshëm nuk janë. Marrin instalimet dhe çdo gjë tjetër. Edhe ku ka banorë kanë marrë. Kam frikë dhe shpresoj që policia t’i kapë sa më parë”, thotë një banor.
Disa nga incidentet janë regjistruar në banesa që i përkasin emigrantëve. Sipas banorëve, grabitjet janë shtuar ditët e fundit duke krijuar pasiguri për të gjithë komunitetin.
“Në disa shtëpi janë hequr instalimet dhe janë marrë orendi. Janë kryesisht shtëpi të banorëve që janë në emigracion. Janë 2-3 raste të ditëve të fundit dhe kemi frikë, sepse kur vjen një grup është e vështirë t’i përballosh”, thotë një banor.
Bashkëfshatarët shprehin shqetësim për mungesën e rezultateve nga hetimet dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të frenuar valën e grabitjeve. Për disa, dëmi ekonomik është i konsiderueshëm, veçanërisht për pensionistët të cilët kanë vështirësi për të zëvendësuar të humburat.
“Janë shtuar shumë, është hall i madh. Kanë grabitur deri te kabujt dhe instalimet e shtëpive. Duhet të marrin masa. Punojmë dhe na i grabisin, ndërsa për ne pensionistët edhe një dëm i vogël është shumë”, thotë një banore.
Rastet janë denoncuar pranë policisë, ku janë marrë dëshmitë e banorëve të dëmtuar dhe janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë. Policia e Vlorës ka nisur hetimet, por ende nuk ka rezultat konkret për identifikimin e autorëve.
Banorët kërkojnë që përgjegjësit të identifikohen dhe vjedhjet të ndalohen për të rikthyer sigurinë në fshat. Hetuesit ndërkohë vijojnë analizën e çdo rasti dhe po studiojnë pamjet e siguruara nga kamerat.

