Onkologia Lidia Zmijani: Kontrollet e rregullta ndihmojnë në zbulimin e hershëm të sëmundjes
Rreth 50 gra në Shkodër i janë nënshtruar mamografisë gjatë javës së parë të muajit Tetor, në kuadër të ndërgjegjësimit për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit.
Onkologia Lidia Zmijani e konsideron këtë një shifër pozitive, por thekson se kujdesi për shëndetin e gjirit nuk duhet të kufizohet vetëm gjatë fushatave sensibilizuese.
Sipas saj, gratë duhet t’i kushtojnë rëndësi kontrolleve periodike dhe të mos presin shfaqjen e shenjave apo shqetësimeve për t’iu drejtuar mjekut. Zbulimi në fazat e hershme rrit mundësitë për trajtim dhe përballimin e sëmundjes.
Fushata e Tetorit Rozë ka sjellë edhe këtë vit më shumë gra pranë strukturave shëndetësore. Për disa prej tyre, mamografia është tashmë pjesë e kontrolleve të rregullta që kryejnë çdo vit.
Mjekët përcjellin apel që kujdesi për shëndetin të jetë i vazhdueshëm dhe kontrollet të kryhen në përputhje me moshën, faktorët e riskut dhe rekomandimet e mjekut.
Tetori Rozë mbetet një periudhë e rëndësishme ndërgjegjësimi, por mesazhi kryesor është që kontrolli i gjirit duhet të jetë pjesë e kujdesit për shëndetin gjatë gjithë vitit.

