Përplasjet në kryeqytet janë intensifikuar pas protestës së mbajtur përpara Kuvendit të Kosovës, ku pjesëmarrësit kanë kërkuar që ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të njohura si Specialja, të miratohen edhe në lexim të dytë.
Raportimet nga protesta flasin për të lënduar si në radhët e policisë ashtu edhe tek protestuesit. Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është vërejtur edhe prania e kryetarit të OVL-UÇK-së.
Gjendja është përshkallëzuar në rrugën “Agim Ramadani”, ku Njësia Speciale ka ndërhyrë me autoblindë dhe ka përdorur topin me ujë në përpjekje për të shpërndarë grumbullin e protestuesve.
Tensionet pranë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës mbeten të larta, teksa ndaj protestuesve është hedhur sërish gazlotsjellës.
Më herët, në të njëjtën rrugë, protestuesit kanë ndezur kontejnerë dhe kanë përdorur mjete piroteknike kundrejt forcave të policisë dhe ndërtesës së Kuvendit. Gjithashtu, autoritetet kanë dhe përdorur gazlotsjellës për të kontrolluar situatën.
Protesta vazhdon, ndërkohë që një prani e madhe e policisë është e dislokuar përreth zonës së Kuvendit.

