Një vit më parë Shqipëria u trondit nga një prej ngjarjeve më të rënda të viteve të fundit. Gjyqtari i Apelit, shkodrani Astrit Kalaja, u qëllua për vdekje brenda sallës së gjyqit në Tiranë, pak momente pasi kishte shpallur vendimin për një çështje pronësie.
Një vit më pas, më 6 tetor 2026, familja, kolegët dhe sistemi i drejtësisë e përkujtojnë gjyqtarin Kalaja, ndërsa hetimi penal për vrasjen e tij tashmë ka hyrë në një fazë të re.
Ngjarja ndodhi në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Në sallë ndodheshin palët e një konflikti të gjatë pronësie. Pas shpalljes së vendimit, Elvis Shkambi nxori armën dhe qëlloi ndaj gjyqtarit Astrit Kalaja.
Kalaja u godit për vdekje, ndërsa nga të shtënat mbetën të plagosur edhe Ragip dhe Ervis Kurtaj, babë e bir, palë kundërshtare në procesin gjyqësor.
Shkambi u largua nga ambientet e gjykatës, por u arrestua pak më vonë nga policia, e cila sekuestroi edhe armën e dyshuar si të përdorur në krim.
Çështja e pronës, në qendër të konfliktit
Vrasja ndodhi në përfundim të një beteje të gjatë gjyqësore për pronësinë e një pasurie në Shkodër. Konflikti lidhej me familjen Shkambi dhe disa familje që jetonin prej vitesh në një godinë bë periferi të Shkodrës.
Sipas të dhënave të bëra publike gjatë hetimit, familja Shkambi pretendonte të drejta pronësie mbi pasurinë, ndërsa çështja ishte kthyer në një konflikt të gjatë gjyqësor me familjet që banonin në godinën objekt të procesit.
Ishte pikërisht vendimi i trupit gjykues që pasoi me ngjarjen e rëndë në sallën e gjyqit.
Kush ishte Astrit Kalaja
Astrit Kalaja ishte një prej gjyqtarëve me karrierën më të gjatë në sistemin shqiptar të drejtësisë.
Ai e nisi detyrën si gjyqtar më 24 nëntor 1993, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër. Në vitin 2004 kaloi në Gjykatën e Apelit Shkodër, ku për disa vite mbajti edhe detyrën e zëvendëskryetarit.
Në vitin 2023, pas hartës së re gjyqësore, ai u emërua në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.
Kalaja ishte gjithashtu anëtar i Kolegjit Zgjedhor në disa mandate dhe kishte kaluar procesin e Vettingut, duke u rikonfirmuar në detyrë në dhjetor 2019.
Hetimi ndaj Elvis dhe Gjon Shkambit
Pas arrestimit të Elvis Shkambit, në hetim u përfshi edhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi.
Prokuroria dyshoi se Gjon Shkambi mund të kishte pasur rol nxitës apo bashkëpunues në ngjarje. Ai e ka mohuar përfshirjen dhe ka pretenduar se nuk kishte dijeni për veprimet e nipit të tij.
Në prill 2026, Gjykata e Apelit refuzoi kërkesën e Gjon Shkambit për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Për të zbardhur nëse kishte pasur komunikime apo organizim paraprak, Prokuroria administroi edhe ekspertizat e celularëve të dy të dyshuarve.
Hetimet janë mbyllur
Zhvillimi më i rëndësishëm përpara njëvjetorit erdhi në fund të shtatorit 2026.
Prokuroria e Tiranës njoftoi përfundimin e hetimeve dhe i komunikoi Elvis Shkambit akuzën për “vrasje të funksionarëve publikë për shkak të detyrës”.
Përveç kësaj, ai përballet edhe me akuzën për “vrasje në rrethana cilësuese” të mbetur në tentativë, lidhur me plagosjen e dy personave të tjerë në sallën e gjyqit, si dhe me akuzën për armëmbajtje pa leje.
Ndërkohë, për Gjon Shkambin Prokuroria ka hetuar rolin e tij të dyshuar në ngjarje, ndërsa mbrojtja ka mohuar që ai të ketë pasur dijeni për veprimet e nipit.
Pas përfundimit të hetimeve, çështja pritet të vijojë me procedurat për dërgimin e saj për gjykim.
Debati për statusin “Dëshmor i Atdheut”
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm gjatë këtij viti ka qenë procesi për njohjen e statusit “Dëshmor i Atdheut” për Astrit Kalanë.
Këshilli i Qarkut Shkodër ka marrë vendim në këtë drejtim, ndërsa Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve e ka përshëndetur vendimmarrjen dhe u ka bërë thirrje institucioneve kompetente që procedura të përmbyllet sa më shpejt.
Nga ana tjetër, avokati i Elvis Shkambit ka kundërshtuar dhënien e këtij statusi, duke argumentuar se duhet të plotësohen kriteret ligjore dhe se në atë moment procedimi penal nuk kishte përfunduar.
Një vit pas ngjarjes
Një vit pas vrasjes, Astrit Kalaja mbetet i lidhur me një nga ngjarjet më të rënda që ka goditur sistemin e drejtësisë shqiptare në dekadat e fundit, një gjyqtar i vrarë me armë zjarri pikërisht në vendin ku ushtronte detyrën.
Në Shkodër, familja Kalaja do ta përkujtojë njëvjetorin e ndarjes nga jeta. Sipas njoftimeve të publikuara sot, më 6 tetor familja do të presë vizita në xhaminë e Perashit, nga ora 08:00 deri në orën 12:00.
Ndërsa për drejtësinë shqiptare, një vit pas krimit, dosja tashmë ka kaluar nga faza e hetimit në atë të përfundimit të akuzave.
Elvis Shkambi ndodhet në paraburgim dhe përballet me akuzat e ngritura nga Prokuroria, ndërsa përfundimi i procesit gjyqësor do të përcaktojë përgjegjësinë penale të të pandehurve ndërsa autori i dyshuar rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm.

