Një avion i Forcave Ajrore të Nigerisë u rrëzua të hënën në Igbokoda, shteti Ondo, duke pasur në bord rreth 32 persona, sipas të dhënave fillestare.
Mjeti fluturues, një ATR-42 me numër regjistrimi NGR 931, ishte nisur nga Benini me destinacion Lagosin, gjatë një misioni rutinë kur ndodhi incidenti.
Ministri i Aviacionit dhe Zhvillimit të Hapësirës Ajrore, Festus Keyamo, bëri të ditur se avioni u zhduk nga ekrani i radarëve rreth orës 09:13, pasi kontrollorët e trafikut ajror humbën lidhjen me të.
Sipas tij, të gjitha përpjekjet për të rivendosur kontaktin radio me avionin rezultuan të kota përpara se të konfirmohej lajmi se avioni ishte rrëzuar në afërsi të Bazës Detare në Igbokoda.
Keyamo njoftoi se rrënojat e avionit u gjetën dhe informacionet fillestare flasin për 25 pasagjerë dhe shtatë anëtarë të ekuipazhit në bord.
Gjithsesi, ministri nuk dha hollësi të mëtejshme për gjendjen apo identitetet e udhëtarëve, pasi operacionet e kërkim-shpëtimit po vijonin ende.
Incidenti u konfirmua edhe nga Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun dhe Informacionit të Forcave Ajrore të Nigerisë, Air Commodore Ehimen Ejodame, i cili tha se menjëherë pas rrëzimit, janë ndërmarrë operacione intensive kërkim-shpëtimi, në bashkëpunim me autoritetet përkatëse dhe agjencitë e emergjencave.
Ai theksoi se avioni po kryente një fluturim rutinë nga Benini drejt Lagosit kur ndodhi aksidenti.

