Nga Behgjet Pacolli
Pas kthimit nga një udhëtim i gjatë, u njoha me deklaratat e bëra në emisionin “Top Story” të Grida Dumës në Top Channel, ku ishin të ftuar, ndër të tjerë, ish-ministri Ylli Manjani dhe opinionisti Arjan Curri. Edhe sot, pjesë nga ky emision vijojnë të qarkullojnë në rrjetet sociale.
Në këtë emision, z. Manjani ka bërë ndaj meje akuza dhe pretendime të rënda, të cilat i konsideroj të pavërteta, shpifëse dhe të pambështetura në fakte. I kundërshtoj kategorikisht dhe jam i gatshëm që çdo pretendim ta përball me dokumente dhe prova.
Prej kohësh jam përballur me akuza të pabazuara, të cilat, sipas meje, synojnë të dëmtojnë emrin tim dhe reputacionin e kompanive që kam ndërtuar gjatë dekadave të punës. Kritika është e ligjshme dhe secili është i lirë të shprehë opinionin e tij, edhe kur ai vjen nga njerëz që, pa njohur punën dhe përpjekjet e të tjerëve, zgjedhin të sulmojnë ata që punojnë dhe u ofrojnë punësim mijëra personave.
Por shpifja dhe paraqitja e pretendimeve të pavërteta si fakte janë një çështje tjetër dhe, për to, secili duhet të mbajë përgjegjësi.
Veprimet ligjore do të përfshijnë edhe z. Arjan Curri për deklaratat e tij. Edhe për deklarime të mëparshme të tij ndaj meje, çështja është ndjekur në rrugë ligjore.
Të hënën do t’u drejtohem institucioneve kompetente dhe gjykatave në Tiranë dhe Lugano, në mënyrë që deklaratat e bëra publikisht të përballen me fakte, dokumente dhe përgjegjësi ligjore.
Nuk do të lejoj që emri im dhe puna ime të përdoren për interesa apo qëllime që autorët e këtyre deklaratave duhet t’i shpjegojnë dhe, kur është rasti, t’i provojnë përpara institucioneve ligjore.
Publiku meriton të informohet mbi bazën e fakteve dhe jo të akuzave të pambështetura. Mbase dikush në këtë vend duhet t’u tregojë vendin atyre që përdorin shpifjen dhe sulmin publik si mënyrë për të goditur të tjerët.

