Një kërcim së gjati i denjë për Lojërat Olimpike ka çuar shakatorin e radhës të estradës shqiptare, Donald Veshaj, në tavolinën e kryeministrit të vendit, Edi Rama, i cili pritet që në ditët në vijim të miratojë një leje për ndërtimin e një kulle 33 kate në qytetin e Vlorës.
Nga qyfyret me personazhe të fortësh nga Vlora në emisionet televizive, tashmë 31-vjeçari humorist Donald Veshaj ka pësuar një metamorfozë të thellë brenda vetes, duke u futur në botën e themeleve të gropave të betonit.
Donald Veshaj, së bashku me Glenis Çobon, kanë aplikuar tek Rama për të marrë një leje ndërtimi me qëllim ndërtimin e një kulle 33 kate të lartë në zonën e Vlorës.
Aplikimi është kryer në emër të shakatorit Donald Veshaj, ndërsa pas tij qëndron një 36-vjeçar, Glenis Çobo, i cili në Vlorë, prej vitit 2023, ka hapur një biznes si njësi akomoduese turistike dhe stacion plazhi.
Të dy nuk kanë asnjë eksperiencë në ndërtim dhe aq më tepër nuk ia kanë idenë e ngritjes së kullave të këtij kalibri. Por duket se ata janë investuar me vënien në dispozicion të një sipërfaqeje toke në Vlorë dhe, nga ana tjetër, pas tyre fshihet një kompani e njohur me pronarë të lidhur fort me qeverisjen Rama.
Po kush janë këta pronarë që qëndrojnë në hijen e Donald Veshaj dhe pse nuk dalin në skenë?
Donald Veshaj dhe Glenis Çobo, të dy së bashku, zotërojnë 50 për qind të kompanisë “DGC” sh.p.k., ndërsa 50 për qind të aksioneve të tjera i zotëron një kompani tjetër e lidhur ngushtësisht me qeverisjen Rama.
Donaldi, humoristi dhe ish-banori i BBV, i njohur më shumë për spektakël sesa për eksperiencë në ndërtim, themeloi në mars 2024 kompaninë “DGC” sh.p.k., së bashku me Glenis Çobon, me objekt aktiviteti në fushën e ndërtimit dhe investimeve.
Vetëm pak muaj më vonë, në dhjetor 2024, kompania “Anchor Investment”, në pronësi të Albi Shytit, bleu 50 për qind të aksioneve të shoqërisë për vlerën simbolike prej 5 mijë eurosh.
Më pas, 5 ortakët aplikuan për ndërtimin e një kulle me 33 kate mbi tokë dhe 4 kate nën tokë në qendër të Vlorës.
Romeo, ndërkaq, vetëm pak muaj më parë hapi platformën e tij “X Media”, me financuese të heshtur një 50-vjeçare.

