Sëmundja vdekjeprurëse Murtaja e Ruminantëve të Vegjël është regjistruar në fshatin Lepenicë, në Selenicë, duke goditur rëndë bagëtitë e imëta të zonës.
Shenjat fillestare të kësaj sëmundjeje u vunë re në fund të muajit gusht. Brenda dy javëve të para të shtatorit, infeksioni u përhap në katër ferma të fshatit, duke prekur një pjesë të konsiderueshme të tufave të banorëve.
Si pasojë e përhapjes së sëmundjes, janë eliminuar mbi 700 krerë bagëti. Blegtorët lokalë, të cilët kanë vite që merren me këtë zeje, pohojnë se nuk janë hasur më parë me një situatë të ngjashme.
Fermerët tregojnë se sëmundja u shfaq papritur dhe u përhap shpejt në disa ferma të fshatit, duke theksuar se kjo ngjarje ka shkaktuar pasoja të mëdha ekonomike për ta.
Drejtuesi i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Veterinarisë në Vlorë, Adila Kojdheli, ka sqaruar se janë marrë të gjitha masat për asgjësimin e kafshëve të prekura dhe situata po monitorohet nga afër.
Ministria e Bujqësisë do të ofrojë kompensim për të gjithë fermerët që kanë pësuar humbje nga kjo murtajë.

