Presidenti amerikan Donald Trump ka shmangur dhënien e mbështetjes publike për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në prag të zgjedhjeve të ardhshme, duke refuzuar të deklarojë nëse Netanyahu duhet të mbajë një mandat tjetër në krye të qeverisë.
Gjatë një interviste të enjten për revistën TIME, Trump u pyet nëse beson se Netanyahu duhet të rizgjidhet më 27 tetor. “Epo, mund të them vetëm se nuk merrem më me politikë, përveç faktit që gëzoj popullaritet”, u përgjigj ai.
I pyetur sërish për këtë çështje, Trump u shpreh: “Jo, gjëja kryesore për mua është se dua t’i ndihmoj ata të mbrojnë Izraelin”, duke evituar një qëndrim të prerë për kryeministrin gjatë bisedës së zhvilluar të hënën. Këtë e raportojnë mediat ndërkombëtare, sipas Telegrafit.
Gjatë intervistës, Trump zgjodhi të përqendrohej te ndikimi i tij mes publikut izraelit, duke deklaruar se popullariteti i tij qëndron në “rreth 99 për qind” falë politikave të tij të mëhershme.
Kur pati interesim nëse Uashingtoni do të mund të bashkëpunonte më mirë me kandidatin opozitar dhe ish-shefin e ushtrisë Gadi Eisenkot, Trump u shpreh se nuk kishte “dëgjuar gjëra të këqija për të”, por paralajmëroi gjithashtu se Netanyahu nuk duhet nënvlerësuar.
“Njerëzit e kanë konsideruar Bibin (Netanyahun) të mbaruar shumë e shumë herë, ashtu siç më kanë konsideruar edhe mua të mbaruar shumë e shumë herë”, tha Trump. “Unë nuk do ta nënvlerësoja Bibin”.
Raportet mes Trump dhe Netanyahut janë përshkallëzuar muajt e fundit, të tensionuara nga konflikti me Iranin dhe sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Liban dhe Gaza.
Trump gjithashtu u shpreh skeptik ndaj pretendimeve se Netanyahu ishte informuar më herët nga inteligjenca rreth sulmeve të 7 tetorit, duke argumentuar se nëse do të kishte pasur dijeni, forcat izraelite do të kishin ndërmarrë veprime parandaluese.
“Nuk mendoj kështu. Mendoj se po ta kishte ditur, do të kishte bërë diçka për këtë”, tha ai.
Duke folur për luftën me Iranin, e cila ka hyrë tashmë në muajin e shtatë, Trump tregoi se kishte zgjeruar me qëllim operacionet ushtarake për të dëmtuar infrastrukturat e armatimit dhe ato bërthamore të Teheranit, pasi vlerësimet e para parashikonin një fushatë prej katër deri në tetë javësh.
“Mund të kisha ndaluar aty, por ndjeva se nuk do të ishte e përshtatshme”.
Trump pranoi se bllokimi i Ngushticës së Hormuzit nga Irani “funksionoi për pak kohë”, por më pas, sipas tij, SHBA-ja rimori kontrollin e rrugës ujore strategjike, përmes të cilës, përpara fillimit të luftës më 28 shkurt, kalonte një e pesta e konsumit botëror të naftës.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi gjithashtu se kishte refuzuar një ofertë nga Irani për armëpushim, që parashikonte rihapjen e ngushticës, duke theksuar se kushtet nuk ishin “jo mjaft të mira”.
I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara synojnë të shtojnë sulmet ajrore pas zgjedhjeve të ndërmjetme të Kongresit amerikan, Trump fillimisht u përgjigj se kjo është “e mundur”, për të ndryshuar më pas qëndrim.
“Nuk mund t’jua them këtë”.

