Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë kundërshton disa prej ndryshimeve të propozuara nga qeveria në Kodin e Procedurës Penale. Në një reagim të bërë publik, prokurorët shprehin shqetësimin se ndryshimet mund të fragmentojnë kompetencat hetimore, të kufizojnë mjetet për sigurimin e provave dhe të ndikojnë në efektivitetin e ndjekjes penale. Sipas Shoqatës, pasojat do të ishin veçanërisht të ndjeshme në hetimet për korrupsionin dhe krimin e organizuar.
“Prokurori, si magjistrat i pavarur, ka përgjegjësinë të zhvillojë hetime të plota e të gjithanshme, duke mbledhur prova si për fajësinë, ashtu edhe për pafajësinë e personit.”
Shoqata vlerëson se kjo përgjegjësi kërkon mjete efektive hetimore, të shoqëruara me kontroll gjyqësor dhe garanci për të drejtat e individit. Një nga shqetësimet kryesore lidhet me detyrimin për vënien në dispozicion të personit nën hetim apo të pandehurit të të gjitha provave që në fazat e hershme të procedimit. Sipas prokurorëve, kjo mund të cenojë sekretin hetimor dhe të rrezikojë ruajtjen e provave.
“Barazia e armëve nuk duhet të kuptohet si simetri absolute informacioni në çdo moment të hetimit. Aksesi duhet të jetë proporcional dhe efektiv për ushtrimin e mbrojtjes.”
Kundërshtime ngrihen edhe për kufizimin e masave të sigurimit personal. Shoqata argumenton se kufizime të tilla mund ta bëjnë më të vështirë shmangien e rrezikut të arratisjes, prishjes së provave apo kryerjes së veprave të tjera penale. Ndërkohë, qeveria ka argumentuar se ndryshimet synojnë pikërisht kufizimin e përdorimit të masave shtrënguese. Gjatë prezantimit të paketës, kryeministri Edi Rama deklaroi se për veprat penale me dënim maksimal deri në 3 vjet, si rregull, nuk do të caktohen masa shtrënguese. Ndërsa për veprat penale me dënim maksimal deri në 5 vjet, sipas tij, nuk do të aplikohet masa e arrestit në burg. Një tjetër pikë e kundërshtuar nga Shoqata e Prokurorëve është kufizimi i mundësisë për zgjerimin e hetimit kur gjatë procesit dalin në pah fakte të reja të lidhura me çështjen. Sipas prokurorëve, kallëzimi fillestar nuk mund të shndërrohet në kufi absolut për hetimin, pasi kjo mund të çojë në copëzimin e procedimeve dhe të vështirësojë zbulimin e veprave të lidhura.
“Copëzimi i procedimeve penale, në një kohë që faktet penale mund të jenë të ndërvarura dhe të lidhura me njëri-tjetrin, përbën një rrezik për efektivitetin dhe suksesin e hetimeve për zbulimin e së vërtetës.”
Prokurorët kërkojnë gjithashtu rishikimin e dispozitave që lidhen me pavlefshmërinë e akteve dhe papërdorshmërinë e provave. Sipas tyre, këto pasoja nuk duhet të jenë automatike për çdo shkelje formale, por duhet të vlerësohet rëndësia e shkeljes dhe ndikimi i saj mbi provën apo të drejtat e mbrojtjes. Shoqata kundërshton edhe përzierjen e pasojave procedurale me përgjegjësinë disiplinore të magjistratëve. Sipas saj, përgjegjësia disiplinore duhet të vijojë të rregullohet nga kuadri kushtetues dhe ligjor përkatës dhe një shkelje procedurale nuk duhet të konsiderohet automatikisht shkelje disiplinore. Shoqata e Prokurorëve kërkon një proces konsultimi real dhe gjithëpërfshirës, me kohë të mjaftueshme për debat profesional dhe analizë të projektligjit.Prokurorët theksojnë se çdo ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale duhet të ruajë ekuilibrin mes garantimit të të drejtave të njeriut dhe nevojës për hetime efektive, veçanërisht në çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

