Arkitektura tradicionale e Krajës në Malin e Zi dhe e zonës bregliqenore të Mbishkodrës është bërë bashkë në një ekspozitë të hapur në zonën muzeale të Shkodrës, në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë.
Përmes vizatimeve arkitektonike dhe fotografive, ekspozita pasqyron tiparet e ndërtimeve tradicionale dhe elementet që dëshmojnë lidhjet e hershme mes dy trevave shqiptare në të dyja anët e kufirit.
Aktiviteti është organizuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, ndërsa autor i ekspozitës është arkitekti dhe studiuesi nga Ulqini, Korab Kraja.
Krahas dokumentimit të vlerave të arkitekturës tradicionale, ekspozita synon të rikthejë vëmendjen te rëndësia e ruajtjes së këtyre ndërtimeve, të cilat mbartin gjurmë të historisë, mënyrës së jetesës dhe identitetit kulturor të banorëve të këtyre trevave.
Kraja dhe Mbishkodra, ndonëse sot ndodhen në shtete të ndryshme, kanë një histori dhe trashëgimi të lidhur ngushtë, ku Liqeni i Shkodrës ka qenë ndër elementët që i kanë bashkuar ndër shekuj.

