Nga lufta me sëmundjen e rëndë te surpriza e djemve të Kombëtares për Jonin e vogël!

Publikuar me datë:

Udhëtimi i Jonit me Kombëtaren shqiptare nisi në vitin 2025, kur një pjesëtare e familjes së tij iu drejtua faqes zyrtare të FSHF-së me një kërkesë të veçantë. Në atë kohë, Joni po përballej me një operacion të ndërlikuar si pjesë e trajtimit kundër kancerit, dhe familja shpresonte që një mesazh inkurajues nga Kristjan Asllani, një prej futbollistëve të tij të parapëlqyer, do të ndihmonte në forcimin e moralit të tij.

Federata Shqiptare e Futbollit reagoi menjëherë dhe Joni mori mesazhin nga Asllani pikërisht në periudhën më të vështirë të jetës. Rreth një vit pas kësaj, erdhi lajmi pozitiv: Joni kishte përfunduar një proces të gjatë dhe të lodhshëm trajtimesh, duke përfshirë edhe kimioterapinë, dhe ndodhej tashmë në fazë rikuperimi. Familjarët vlerësojnë se mbështetja dhe mesazhet nga Kombëtarja ishin një burim i veçantë motivimi për të gjatë gjithë kësaj kohe.

Këtë herë, FSHF-ja vendosi të surprizonte Jonin me më shumë urime nga futbollistë të Kombëtares. Përveç Asllanit, edhe Hysaj, Mitaj, Strakosha, Hoxha dhe Shehu, iu bashkuan nismës dhe dërguan mesazhe mbështetëse për Jonin. Por rrëfimi nuk përfundoi këtu.

Për ndeshjen ndërmjet Shqipërisë dhe Bjellorusisë, Jonit iu dha mundësia të jetë i pranishëm në stadium. Ai takoi futbollistët nga afër në hotelin ku ishte akomoduar ekipi, ndërsa më pas përjetoi një emocion të rrallë: zbriti në fushë si shoqërues i Kristjan Asllanit përpara se të niste ndeshja.

Ajo që nisi si një mesazh mbështetjeje në një periudhë të vështirë për Jonin, u shndërrua në një marrëdhënie të veçantë me ekipin që ai e ka përkrahur pareshtur, që nga takimi me futbollistët e deri te përjetimi në fushë bashkë me Kombëtaren shqiptare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related