Prokurori i Përgjithshëm i Floridës ka kërkuar sot nga një gjykatës që të ndalojë OpenAI të zhvillojë modele të reja të inteligjencës artificiale pa vendosur më parë mbikëqyrje të jashtme. Ky hap është pjesë e një procesi gjyqësor kundër kompanisë, në të cilin shteti e akuzon OpenAI për dëmtim të fëmijëve.
Padia ndaj OpenAI u ngrit në qershor të vitit të kaluar, duke e akuzuar kompaninë për mashtrim ndaj autoriteteve në lidhje me sigurinë e ChatGPT-së. Sipas padisë, OpenAI ka rrezikuar fëmijët duke ofruar informacione që kanë ndihmuar në kryerjen e sulmeve me armë, i ka udhëzuar përdoruesit të dëmtojnë veten ose ka shkaktuar varësi tek të rinjtë që përdorin platformën.
James Athmeier, Prokurori i Përgjithshëm i Floridës, kërkoi gjithashtu që gjykata të urdhërojë OpenAI-n të ndalojë aksesin e të miturve në ChatGPT dhe të mos lejojë shtimin e “karakteristikave njerëzore” në platformën e saj të komunikimit.
Një zëdhënës i OpenAI, Drew Puzzateri, tha në një reagim se kompania ka ndalur përkohësisht trajnimin e modeleve të saj më të avancuara dhe nuk do të fillojë sërish këtë proces deri në vendosjen e masave të tjera mbrojtëse.
“Qeveritë luajnë një rol të rëndësishëm në vendosjen e standardeve të forta të sigurisë për inteligjencën artificiale dhe ne jemi të përkushtuar të bashkëpunojmë me Floridën dhe shtetet e tjera për të çuar përpara politika realiste që zbatohen për të gjithë industrinë e inteligjencës artificiale, jo vetëm për një kompani”, shtoi ai.
Florida deklaroi në dosjen e dorëzuar të hënën: “Të pandehurit pretendojnë se nuk mund të ndalojnë ndjekjen e tyre të pakufizuar të aktiviteteve shkatërruese të qytetërimit, përveç nëse detyrohen ta bëjnë këtë nga qeveria”. “Ata i kanë kërkuar qeverisë t’i lidhë pas direkut”.
Athmeier, që është republikan, është i pari prokuror i përgjithshëm shtetëror që ndërmerr masa ndaj OpenAI për efektet e saj mbi përdoruesit e rinj. Kompania është gjithashtu nën hetimet e padive të ngritura nga individë dhe familje, të cilat pretendojnë se ChatGPT ka kontribuar në nxitjen e vetëdëmtimit ose dhunës ndaj të tjerëve.
Padia u nxiti pas një incidenti me të shtëna në një universitet në Tallahassee dhe disa ngjarjeve të tjera në shtete të ndryshme, ku dyshohet se ChatGPT ka ofruar informacione që iu kanë paraprirë akteve të dhunshme. OpenAI ka mohuar përgjegjësinë në këto situata, duke deklaruar se chatbot-i ofron të dhëna të aksesueshme gjerësisht në internet dhe vazhdon të përmirësojë sistemet e saj të sigurisë.

