Apple është detyruar nga një vendim gjyqësor në SHBA të paguajë 5.7 miliardë dollarë si dëmshpërblim, pasi juria konstatoi se kompania kishte përdorur teknologjinë e një tjetër firme pa leje, sipas të dhënave të publikuara nga mediat.
Kompania Taction Technology, e specializuar në pajisje audio, e paditi Apple në vitin 2021, duke akuzuar gjigantin amerikan të teknologjisë për shkelje të dy patentave në fushën e sistemeve haptike. Këto janë teknologji që ofrojnë ndjesi përmes dridhjeve në pajisje, siç ndodh gjatë marrjes së një njoftimi ose shtypjes së ndonjë butoni.
Teknologjia haptike është integruar në produkte të Apple si iPhone dhe Apple Watch.
Apple ka shprehur kundërshtim ndaj këtij vendimi dhe ka bërë të ditur se do ta apelojë. Nga kompania është deklaruar se nuk është përdorur teknologjia e Taction, duke sqaruar se “Taptic Engine” është në thelb ndryshe nga ajo teknologji që qëndronte në qendër të procesit gjyqësor.
Përmes teknologjisë haptike, përdoruesit mund të komunikojnë me pajisjet duke përjetuar reagime që imitojnë ndjesinë e prekjes. Kjo teknologji gjen zbatim të gjerë te telefonët inteligjentë, orët smart dhe kontrollorët e videolojërave, ku motorë të vegjël japin dridhje në përgjigje të sinjaleve elektronike.

