Një aksident rrugor i rëndë ndodhi pranë Mynihut, në Gjermani, ku një autobus turistik u përmbys, duke shkaktuar vdekjen e të paktën dy personave dhe plagosjen e 19 të tjerëve.
Autobusi po udhëtonte me rreth 35 turistë në bord, shumica e të cilëve ishin me origjinë nga Filipinet. Sipas të dhënave të para, udhëtarët kishin nisur rrugën nga Milano me destinacion Mynihun, për të marrë pjesë në festivalin Oktoberfest.
Aksidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit pranë Fürstenfeldbruck. Për arsye që mbeten ende të paqarta, autobusi doli nga rruga dhe u përmbys në një zonë të mbuluar me shkurre.
Zëdhënësi i policisë, Martin Cornils, tha se gjashtë persona u transportuan me helikopterë të emergjencës, ndërsa dy të tjerë u dërguan në spitale me ambulancë.
Gjithsej, 19 të plagosur po trajtohen në spital. Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të zbuluar rrethanat dhe shkakun që çoi në humbjen e kontrollit të autobusit.
Derimë tani, nuk është dhënë informacion shtesë për shkaqet e aksidentit ose për gjendjen e të lënduarve.
Ky aksident vjen pak javë pasi një tjetër incident fatal me autobus turistik në Zvicrën lindore mori jetën e pesë personave.

