Atentati në Athinë/ Lokali në pronësi të Denis Lulit, urdhri dyshohet të jetë dhënë nga Klod Cara

Publikuar me datë:

Lokali “Amora”, i cili ra pre e sulmit me Kallashnikov mesnatën e së premtes në Athinë, rezulton në pronësi të 30-vjeçarit Denis Luli. Si pasojë e të shtënave nga një makinë ku udhëtonin 4 persona, u plagos një 10-vjeçare shqiptare, e cila nuk dihet nëse kishte lidhje me pronarin. Ajo ndodhej në vendin e ngjarjes bashkë me nënën e saj, e cila e transportoi privatisht drejt spitalit pas plagës së marrë në pulpë.

Policia gjeti më pas të djegur në Aspropirgo dhe me një Kallashnikov brenda, automjetin e përdorur në ngjarje. Policia dyshon se shënjestër e sulmit ishte 30-vjeçari Denis Luli, person me precedentë penalë. Ai rezulton i arrestuar në 2015 në një parcelë të mbjellë me marijuanë, ku gjatë aksionit Luli hapi zjarr ndaj forcave të policisë greke. Për ngjarjen ai u dënua dhe u lirua me kusht në vitin 2021 nga burgu i Malandrinos.

Lidhur me ngjarjen e mbrëmshme, policia dyshon se ajo është porositur nga 49-vjeçari nga Berati, Klodian Lekocaj, i njohur gjerësisht si Klod Cara. Ai rezulton i burgosur prej vitesh si autor direkt dhe porositës i shumë ngjarjeve të rënda në Greqi.

Kush është Klodian Lekocaj

Klodian Gjon Lekocaj, 49 vjeç, alias Klod Cara, një personazh kontrovers, është kthyer në qendër të vëmendjes vitet e fundit për shkak të etiketimit nga media greke si kreu i së ashtuquajturës “Mafia e Burgjeve”. Se sa realisht ai është i tillë, kjo nuk dihet, pasi vetë ai në daljet publike në media e konsideron veten “të varfër”, “të pafajshëm”, “të përdorur”, ndërkohë që faktet, dëshmitë dhe përgjimet që disponon policia greke të çojnë drejt mendimit se realisht Lekocaj ka pasur dhe ka ende një rol të rëndësishëm në botën e nëndheshme të grupeve kriminale shqiptare dhe greke.

Lekocaj shpesh në përgjime e dëshmi ka dalë se çuditshëm ka lidhur fijet e grupeve kriminale, duke u vënë ose atyre, ose vetes në dispozicion vrasës me pagesë. I tillë ishte dhe rasti i 14 shtatorit 2022, kur policia greke arrestoi rastësisht dy shqiptarët Viktor Çala, 39 vjeç, dhe Andi Beqiri, 23 vjeç. Ata u kapën në Athinë, pasi në automjetin e tyre u gjetën të fshehura 2 Kallashnikovë dhe 1 thikë, ndërsa në banesë 1 pistoletë. Hetimi i policisë zbuloi se Çala ishte autor i vrasjes së një greku dhe tentativës së vrasjes së një shqiptari, të dyja ngjarje të ndodhura në muajin korrik 2022.

Për vrasjen e grekut ai deklaroi se ishte urdhëruar nga Klodian Lekocaj, për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Kështu “Klodit”, i cili në kartelat greke njihet edhe si “Luli” apo “Ilia”, iu shtua atëherë edhe një akuzë tjetër pas akuzave të mëparshme për urdhërimin e vrasjeve të avokatit grek Mixalis Zafiropoulos, të të burgosurit Arbër Bako, të të burgosurit Bardhyl Tusha, përfshirje në tentativën e vrasjes së një pakistanezi, gjobëvënie ndaj ish-Ministrit grek Dimitri Tsovola, ndihmë në arratisjen e të burgosurve Leonard dhe Elvis Pepa etj. Klodi, në fakt, veç urdhrave, ka precedentë dhe si autor i drejtpërdrejtë.

Fillimisht është arrestuar në 1997 për vjedhje. Në 2003 ishte arratisur nga Burgu i Volos, ndërsa në 2005, në Agio Pantaleimona, plagosi me armë zjarri në bark një shqiptar e më pas, në të njëjtin vend, në 2006, bashkë me dy shqiptarë plagosi me thikë një bashkëkombës të tijin. Në 2013 u arrestua për trafik droge dhe vjedhje dhe u dërgua në burgun e Korfuzit, ku pasi mori leje u arratis në 2014 dhe, pas disa ditësh, bashkë me Arbër Bakon mori pjesë në tentativën e grabitjes, me pasojë plagosjen e një egjiptiani, ndërsa më 31 tetor 2014, bashkë me Arbër Bako, Olti Dulce dhe një polak, kryen një vrasje në zonën e Metaksurgios.

Përfundimisht, Lekocaj u arrestua në nëntor 2014 në Sepolia, në shoqërinë e Dhimo Mëcit, një gjirokastrit i përfshirë në disa vrasje me pagesë në Greqi dhe që në momentin e kapjes ishte person në kërkim. Arrestimi i tyre erdhi pas ngjarjes së Mikrolimanos, ku Arbër Bako, me një Kallashnikov, plagosi disa klientë të një lokali në zonë.

Klodian Lekocaj është përmendur të ketë pasur lidhje edhe me shqiptarët Elvis Bogdani dhe Ari Papa, të ekzekutuar më parë në Greqi.

Në 2019, Lekocaj u akuzua se rekrutoi një vrasës me pagesë nga Shqipëria për të ekzekutuar një pakistanez, ndërsa në mars 2023 ndaj Lekocajt u ngrit akuzë për gjobëvënie 100 mijë euro ndaj një biznesmeni grek.

Në prill 2025, Lekocaj u akuzua për porositjen e atentatit ndaj shqiptarëve Kristjanis Stefa dhe Florian Bajraktari, ndodhur më 23 shtator 2024.

Në maj 2025, Lekocaj mori peng dy gardianë të burgut të Koridhalos përmes një thike, duke u marrë çelësat, radiot dhe telefonat celularë. Ai filloi të lëvizte drejt një sektori tjetër të burgut bashkë me 7 egjiptianë, me qëllim futjen në repartin 3, ku dyshohet se do të tentonte vrasjen e një shqiptari. Ndërhyrja e forcave të tjera ndihmoi në neutralizimin e të burgosurve.

Disa ditë më pas, policia ushtroi kontroll në qelinë e Lekocajt dhe disa të dënuarve të tjerë, duke gjetur sende të paligjshme si celularë, thika e kokainë.

Në shkurt 2026, policia zbuloi se Lekocaj qëndronte pas një rrjeti të futjes së drogës në burg dhe e arrestoi atë bashkë me tre të tjerë.

Po në këtë muaj, Lekocaj mori përsipër autorësinë e plagosjes në burg të vrasësit shqiptar me pagesë, 46-vjeçarit Dhimo Meci. Lekocaj deklaroi se kishte urdhëruar autorin grek për të kryer krimin.

Në prill 2026, policia greke arrestoi në Agio Pantaleimona, në Athinë, dy të rinj shqiptarë shpërndarës droge dhe sekuestroi një sasi. Pas tyre qëndronte me urdhra pikërisht Klodian Lekocaj.

Po në këtë muaj, policia greke arrestoi në Selanik 3 persona për gjobëvënie ndaj një biznesmeni. Të arrestuarit ishin dy shqiptarë dhe një grek, që kishin marrë urdhra nga Lekocaj. Njërit prej të arrestuarve iu sekuestrua edhe një pistoletë.

Në shtator 2026, dy lokale u sulmuan me granata në qendër të Athinës, në distancë 30 min nga njëra-tjetra. Grupi hetimor dyshon se pas ngjarjeve fshihet pikërisht Klodian Lekocaj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related