Teatri “Migjeni” në Shkodër ka pritur premierën e varietetes “Shkodra ka plot dashuri”, një mbrëmje e ndërthurur me humor, këngë dhe emocione.
Salla ishte e mbushur me spektatorë, të cilët e ndoqën shfaqjen gjatë gjithë mbrëmjes, duke reaguar me të qeshura dhe duartrokitje ndaj momenteve humoristike dhe interpretimeve muzikore.
Me regji të Zehrudin Dokles, shfaqja bashkon në të njëjtën skenë disa prej emrave të njohur të humorit shkodran me artistë të rinj, duke krijuar një ndërthurje mes përvojës dhe energjisë së brezit të ri.
Për aktoren e njohur Drande Xhaj, reagimi i publikut ishte një nga treguesit më domethënës të mbrëmjes së premierës.
Artistët e rinj patën mundësinë të prezantohen para publikut shkodran, duke ndarë skenën me emra që prej vitesh janë pjesë e traditës së humorit në qytet.
Përmes humorit dhe muzikës, “Shkodra ka plot dashuri” solli në skenën e “Migjenit” një tjetër mbrëmje artistike, ku tradita e humorit shkodran u takua me brezin e ri.

