Në Shkodër duket se ka një kantier që nuk del kurrë nga skenari i fushatës së Benet Becit: Ura e Bahçallëkut.
Sa herë afrohet një periudhë zgjedhore, kamera rikthehet në të njëjtin vend. Beci shfaqet në kantier, flet për punimet, merr me vete inxhinierin e projektit dhe publikon një tjetër video për t’u treguar shkodranëve se “po punohet”.
Prej vitesh, ura është kthyer në një prej “protagonistëve” të videove të kryebashkiakut të Shkodrës. Në nëntor 2024, Beci njoftonte se kontrata për projektin po lidhej dhe punimet do të nisnin “shumë shpejt”. Në shkurt 2025 e prezantonte projektin si një investim transformues, ndërsa në korrik dhe shtator të po atij viti rikthehej sërish në kantier për të treguar ecurinë e punimeve.
Dhe tani, më pak se një vit para zgjedhjeve të ardhshme, skena përsëritet sërish. Beci shfaqet në kantier krah inxhinierit të projektit, ndërsa videoja shoqërohet me shpjegime teknike për ecurinë e punimeve. Një skenar tashmë i njohur, kantieri, kamera, deklaratat dhe premtimi se “po bëhet”.
Por këtë herë ka edhe një detaj që tërheq vëmendjen, as emrin e urës nuk e thotë saktë. Në vend të “Bahçallëkut”, në video dëgjohet “Bahçellekut”.
Pra, pas kaq shumë videove, inspektimeve dhe daljeve publike, duket se Beci ende nuk ka arritur të mësojë si shqiptohet saktë emri i urës që e ka bërë pjesë të pandashme të komunikimit të tij politik.
Tre vite, i njëjti kantier. Ura po ndërtohet, por pyetja që mbetet është se kur do të përfundojë “fushata” rreth saj?
Madje, vetë dokumentet e bëra publike gjatë procesit zgjedhor të vitit 2025 e kanë vendosur këtë projekt në qendër të debatit për përdorimin e investimeve publike në komunikimin elektoral.

