Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje drejtuesve të kësaj force politike që të rrisin ndjeshëm kontaktet me anëtarët, simpatizantët dhe qytetarët, duke kërkuar një proces të thellë rinovimi dhe modernizimi për partinë që drejton.
Gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së, Berisha theksoi domosdoshmërinë që opozita të përdorë të gjitha burimet në dispozicion për të ngritur “vitalitetin” e Partisë Demokratike, me qëllim që të përforcojë pozicionin e saj përballë qeverisë aktuale.
“Ne duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi, çdo potencial që kemi për ripërtëritjen e forcës tonë politike, ripërtëritje e cila, po ta mbledh me një fjalë të dytë, do të thotë rritje e vitalitetit të saj. Ripërtëritje në vlera të reja. Ripërtëritje në mekanizmat e funksionimit të saj. Ripërtëritje në modernizimin e saj. Ripërtëritje në programin e saj”, deklaroi Berisha.
Berisha nënvizoi që ndryshimet e parashikuara në organizim, program dhe funksionim nuk duhet të mbeten vetëm në letër. Sipas tij, roli i drejtuesve në terren është thelbësor për ta kthyer këtë proces në realitet të prekshëm.
“Që të gjitha këto mbeten absolutisht fjalë në letër në qoftë se ne nuk i jetësojmë ato në takime me anëtarët, mbështetësit tanë dhe qytetarët shqiptarë. Është një kohë historike”, tha ai.
Në fjalën e tij, Berisha u ndal veçanërisht tek çështjet demografike të vendit, duke akuzuar qeverinë Rama për dëme të mëdha në këtë drejtim. Ai vlerësoi se kthimi i treguesve demografikë të vitit 2013 kërkon dekada dhe hapa konkretë për të stimuluar ripopullimin.
“Çfarëdo që të bëjmë ne, ne e nisim në rrafshin demografik me një lindshmëri si para 100 vitesh. Dhe për ta sjellë në vitet 2013, ndoshta do të duhen, në afatet më të shpejta, 40 vite. Dhe do të duhet një politikë solide e ripopullimit të këtij vendi”, deklaroi kreu i PD-së.
Ai iu drejtua anëtarëve të Kryesisë me kërkesën për angazhim të plotë në këtë fazë të opozitës, duke i cilësuar si figurat udhëheqëse që duhet t’i përgjigjen situatës aktuale.
“U ndala në këtë aspekt për të theksuar se çfarë rëndësie jetike ka përpjekja jonë. Anëtarët e Kryesisë së PD-së janë drejtuesit, janë udhëheqësit kryesorë të kësaj force politike dhe unë kam besim të madh, besim të plotë se kësaj sfide, kësaj kërkese, kësaj emergjence ne do t’i përgjigjemi në mënyrën më të vendosur”, u shpreh ai.
Më tej, ai e ashpërsoi retorikën në drejtim të kryeministrit Edi Rama, të cilin e cilësoi përgjegjës kryesor për akumulimin e problemeve në vend.
“Askush nuk duhet të harrojë se ‘mother matrix’ e të gjithë këtyre problemeve të mëdha e ka emrin Edi Rama apo Padrino i Shqipërisë. Pa largimin e tij, në Shqipëri dhe për shqiptarët ka rrokullisje dhe vetëm rrokullisje”, deklaroi Berisha.
Berisha vlerësoi se beteja me qeverinë nuk përbën thjesht një çështje të brendshme shqiptare, por përfaqëson një mision më të gjerë, që shkon përtej interesave të partisë.
“Edi Rama nuk është i rrezikshëm vetëm për Shqipërinë, Edi Rama është i rrezikshëm për rajonin, për Europën dhe më gjerë. Ndaj dhe në këtë kuadër ne përmbushim një mision kombëtar dhe shumë më të gjerë se kombëtar”, tha Berisha.
Në përmbyllje, ai i bëri thirrje demokratëve që të mobilizohen dhe të rrisin intensitetin e aksionit opozitar.
“Demokratët dhe vetëm demokratët mund t’i japin përgjigjen përfundimtare, goditjen përfundimtare këtij regjimi”, deklaroi kreu i PD-së.

