Arnaud Denis, aktor dhe regjisor francez, ka ndërruar jetë të martën në Belgjikë në moshën 43-vjeçare, pasi vendosi t’i jepte fund vuajtjeve të tij përmes eutanazisë, njoftoi avokati i tij për AFP.
Avokati Philippe Courtois bëri të ditur se ky vendim erdhi pas diskutimeve me tre mjekë në Namur. “Trupi i tij nuk mund ta mbante më. Ai kishte humbur kontrollin mbi të”, shpjegoi Courtois, duke shtuar se Denis u përball me dhimbje të forta për disa muaj para vdekjes.
Denis ishte i njohur për vëniet në skenë të veprave “Les Liaisons dangereuses” nga Choderlos de Laclos dhe “Les Femmes savantes” nga Molière. Problemet shëndetësore të rënda nisën pas një operacioni për hernie në ijën e djathtë më 17 korrik 2023, kur iu vendos një rrjetë polipropileni si implant.
Pas ndërhyrjes kirurgjikale, ai hasi komplikacione të shumta. Edhe pse implanti iu hoq në SHBA në prill të vitit 2024, gjendja e tij shëndetësore nuk u përmirësua.
Diagnoza e Denis ishte encefalomielit mialgjik, që ndodhi në kuadër të sindromës ASIA, e lidhur me një reagim inflamator ndaj adjuvantëve. Sipas mjekëve, ato dyshonin se implanti kishte sjellë një inflamacion të vazhdueshëm dhe probleme të sistemit imunitar.
Në fillim të vitit 2026, Denis foli publikisht për përkeqësimin e gjendjes së tij, duke rrëfyer se nuk ishte më në gjendje të largohej nga shtëpia apo të kishte një jetë shoqërore.
“Jetoj si një pacient me kancer në fazën terminale. Mjekët nuk kanë më asgjë për të më ofruar”, kishte rrëfyer ai për një të përditshme rajonale.
Vdekja e Denis risjell në fokus diskutimet rreth rreziqeve të implanteve mjekësore si dhe kritereve ligjore e mjekësore që lidhen me eutanazinë në Belgjikë.

