Japonia ka ngritur alarmet emergjente në Tokio dhe në rajonet përreth, ndërsa tajfuni i fuqishëm “Dujuan” po i afrohet bregut lindor të vendit, duke sjellë rrezik për përmbytje dhe rrëshqitje dheu.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë ka paralajmëruar për reshje jashtëzakonisht të dendura, të cilat mund të arrijnë nivele rekord deri të martën. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve, veçanërisht atyre në zonat bregdetare dhe pranë lumenjve, të qëndrojnë vigjilentë dhe të respektojnë udhëzimet për evakuim, raporton BBC.
Në prefekturën e Tokios është dërguar një alarm i rrallë direkt në telefonat e qytetarëve. Në distriktin Meguro, personave të moshuar u është kërkuar të strehohen në shkolla, ndërsa është ngritur niveli 4 i alarmit, i dyti më i larti për rrezikun nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut.
Në pjesën qendrore të Tokios është në fuqi niveli 3 i alarmit.
Ndërkohë, niveli 5, niveli më i lartë i paralajmërimit është shpallur në qytetin Oshima dhe në ishujt Izu, në jug të Tokios. Alarmet u janë dërguar rreth 1,901 familjeve, me një total prej 3,020 banorësh.
Qindra fluturime anulohen
Tajfuni ka shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme në transport. Sipas të dhënave, qindra fluturime në aeroportet Haneda dhe Narita të Tokios janë anuluar.
Gjithashtu, disa shërbime hekurudhore janë pezulluar, përfshirë disa trena të shpejtë Shinkansen në linjën Tokaido. Operatori hekurudhor JR u ka bërë thirrje udhëtarëve të tregojnë kujdes, pasi në stacione janë krijuar turma të mëdha. Tajfuni “Dujuan”, i cili është stuhia e 25-të e sezonit në Japoni, pritet të kalojë pranë bregut lindor të vendit të hënën.
Kryeministrja shtyn udhëtimin në ShBA
Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi ka kërkuar nga qytetarët që t’u binden udhëzimeve dhe paralajmërimeve të autoriteteve. Për shkak të situatës së krijuar nga tajfuni, Takaichi ka shtyrë udhëtimin e saj drejt Shteteve të Bashkuara, ku ishte planifikuar të udhëtonte drejt Nju Jorkut të martën për t’u takuar me presidentin amerikan Donald Trump dhe për të mbajtur një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Sipas raportimeve të mediave lokale, fluturimi i saj është shtyrë me katër orë dhe pritet të niset në orën 23:00.
Tajfuni prek edhe Lojërat Aziatike
Stuhia ka ndikuar edhe në zhvillimin e Lojërave Aziatike, të cilat po mbahen në Nagoya dhe në prefekturën Aichi. Një garë e kalërimit, e planifikuar fillimisht për të hënën, është shtyrë për të martën për shkak të kushteve atmosferike.
Kosei Inoue, shefi i delegacionit japonez në Lojërat Aziatike, tha se po zhvillohen takime me Komitetin Olimpik Japonez për të siguruar që autoritetet të jenë të përgatitura për çdo situatë.
Rreth 4,000 pjesëmarrës të Lojërave Aziatike janë duke qëndruar në anijen turistike Costa Serena. Nëse tajfuni prek zonën, anija mund të zhvendoset në një vend më të sigurt dhe të rikthehet vetëm pasi të kalojë rreziku.
Autoritetet japoneze vazhdojnë të monitorojnë situatën dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonat e rrezikshme dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.

