Një ditë nga vrasja e 44-vjeçarit, Artan Myrtaj, në qëndër të Sarandës, një njësi e repartit Special RENEA, të shoqëruar dhe nga oficerë të hetimit të krimit në Policinë e Shtetit, kanë shkuar në periferi të Kamzës, duke ushtruar kontrolle në banesën e Ervis Lamit dhe 4 persona të tjerë.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se kontrollet janë miratuar nga gjykata e Sarandës, e cila ka autorizuar prokurorinë dhe policinë, të ushtrojnë kontrolle tek shtëpia e Ervis Lamit, nipit të këtij të fundit dhe dy shokëve të ngushtë të nipit të Lamit.
Kontrollet, janë motivuar pas dyshimeve të forta se 4 personat mund të kenë organizuar, financuar apo kryer ngjarjen e rëndë të vrasjes së 44-vjeçarit Myrtaj në Sarandë.
Mësohet se gjatë kontrolleve pronarët e banesave nuk kanë bërë rezistencë ndaj forcave RENEA. Ndërsa Lami dhe 3 personat e tjerë janë marrë në pyetje, lidhur vendndodhjen e tyre gjatë ditës së djeshme dhe ditës së sotme.
Ende nuk dihet me saktësi nëse gjatë kontrollit policia ka gjetur sende të paligjshme si armë, drogë apo diçka që mund ta lidhë me ngjarjen e rëndë të ndodhur 1 ditë më parë në Sarandë.
Foto: Ervis Lami

