Në një postim në rrjete sociale, deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka reaguar për largimin e atletit David Nikolli nga përfaqësimi me fanellën kuqezi, duke e cilësuar rastin si një tjetër dëshmi të problemeve në sportin shqiptar.
Boçi shprehet se Nikolli ka denoncuar një sistem sportiv “të prishur deri në palcë” dhe kërkon përgjegjësi nga Federata përkatëse dhe ministria përgjegjëse për pretendimet e atletit.
Deputeti demokrat theksoi se rasti tregon se sportistët mbështeten kur sjellin rezultate, por lihen pas dore kur ngrenë zërin për problemet, ndërsa kërkon transparencë dhe përgjegjësi institucionale për rastin e Nikollit.
Postimi i plotë:
LARGIMI QË ZBULON REALITETIN SPORTIV NË SHQIPËRI
David Nikolli njofton se nuk do të garojë më me fanellën kuqezi.
Në mesazhin e tij ka dhimbje për ngjyrat që lë dhe revoltë ndaj një sistemi sportiv që e denoncon si “të prishur deri në palcë”.
Një dëshmi e tillë kërkon përgjegjësi konkrete të atyre që e detyruan një akt të tillë.
Në këtë pikë Nikollin e çoi sjellja e papërgjegjshme e përfaqësuesve të Federatës dhe shpërfillja e shtetit për rezultatet e tij.
Rasti i tij nuk është i vetëm.
Shumë talente në Shqipëri “vdesin” kështu, nga papërgjegjshmëria e strukturave përgjegjëse.
Pushteti e ka gjithmonë gati podiumin për fotografinë me sportistët. Po kur ata ngrenë zërin për problemet, i mbyllin derën e dritaren.
Dhe ata s’kanë zgjedhje, veçse largimit.
Flamuri nuk mund të shërbejë si dekor i suksesit politik, ndërsa njerëzit që e përfaqësojnë të mbeten vetëm me sakrificat e tyre.
Federata përkatëse dhe ministria përgjegjëse duhet të mbajnë publikisht përgjegjësi për pretendimet e Nikollit.
Me fakte, me transparencë dhe me përgjegjësi.
Solidaritet me Davidin dhe me çdo sportist që kërkon të dëgjohet e të trajtohet me dinjitet!
Shqipëria duhet t’u hapë rrugën talenteve drejt garës, jo drejt largimit.

