Maxhoranca miratoi e vetme pr/ligjin për statusin e gjyqtarit i cili parashikon një rritje të pagës referuese me rreth 8,500 lekë sa 0.02% e pagës së Presidenti. Një rritje qesharake, disa herë më pak se paga baza referuese prej 222 mijë lekësh dhe 14 mijë lekë shtesë për kualifikimin që kishte përcaktuar Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë pas përfundimit të afatit nga Gjykata Kushtetuese.
Pr/ligji i cili u hodh për votim në orët e vona të natës kaloi me 84 vota pro të maxhorancës, ndërsa 24 deputetë të PD votuan kundër. Po kështu qeveria ka përllogaritur edhe 1.5 miliardë lekë detyrime të prapambetura nga prilli 2023, të cilat do të shlyhen me këste brenda dy viteve.
PD kundër: Puç kushtetues
Partia Demokratike kishte kërkuar heqjen nga rendi i ditës të draftit të PS-së për pagat e magjistratëve. Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi theksoi paraditen e djeshme në Kuvend se drafti i mbërritur në seancë nuk ishte ai i konsultuar me institucionet e drejtësisë çka është një tjetër shkelje e Kushtetutës nga ana e mazhorancës.
Gjatë punimeve të pralamentit pasdite, Bardhi deklaroi votën kundër të PD-së duke e cilësuar “puç kushtetues” atë që po ndodh. Bardhi theksoi se mazhoranca po shpërfill për herë të tretë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe po cenon garancitë financiare të gjyqtarëve e prokurorëve pasi formula e propozuar nuk përmbush standardet e vendosura nga Kushtetuesja
“Projektligji që po diskutojmë sot nuk ka të bëjë as vetëm me gjyqësorin, as vetëm me legjislativin dhe as vetëm me ekzekutivin. Ka të bëjë me shtetin shqiptar, ka të bëjë me sistemin institucional dhe kushtetues të Republikës së Shqipërisë. Ju nuk keni vendosur të sfidoni gjyqësorin, por të sfidoni shtetin shqiptar, të sfidoni rendin kushtetues në vend. Shkurt, keni vendosur të vazhdoni një puç kushtetues të nisur që prej vitit 2017 lidhur me këtë çështje.”
“Gjyqtarët dhe prokurorët nuk po kërkojnë rritjen e pagës së tyre. Nëse do të kërkonin një rritje të re të pagës, nuk do të kishin as mbështetjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. E vërteta është se prokurorët dhe gjyqtarët e Republikës po kërkojnë të marrin pagën që ky Kuvend ua përcaktoi në vitin 2016", tha Bardhi.
“Projektligji që po diskutojmë sot nuk ka të bëjë as vetëm me gjyqësorin, as vetëm me legjislativin dhe as vetëm me ekzekutivin. Ka të bëjë me shtetin shqiptar, ka të bëjë me sistemin institucional dhe kushtetues të Republikës së Shqipërisë. Ju nuk keni vendosur të sfidoni gjyqësorin, por të sfidoni shtetin shqiptar, të sfidoni rendin kushtetues në vend. Shkurt, keni vendosur të vazhdoni një puç kushtetues të nisur që prej vitit 2017 lidhur me këtë çështje.”
“Gjyqtarët dhe prokurorët nuk po kërkojnë rritjen e pagës së tyre. Nëse do të kërkonin një rritje të re të pagës, nuk do të kishin as mbështetjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. E vërteta është se prokurorët dhe gjyqtarët e Republikës po kërkojnë të marrin pagën që ky Kuvend ua përcaktoi në vitin 2016", tha Bardhi.
Ndërkohë kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla gjatë seancës së paradites u shpreh i vendosur se pr/ligji do kalojë ashtu siç ka ardhur, madje i bëri thirrje presidentit ta miratojë pa humbur kohë.
Beteja vijon
Pritet që pr/.ligji i miratuar të mos ndalë përplasjen me sistemin e drejtësisë.
Më 16 shtator Gjykata e Lartë i kërkoi Parlamentit që projektligji të mos votohet duke paralajmëruar se nëse ndodh nuk do të ketë tërheqje,
“Kuvendi miraton ligje, por nuk mund të relativizojë Kushtetutën. Mund të zgjedhë zgjidhjen ligjore, por nuk mund të anashkalojë një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Mund të ftojë gjyqësorin për konsultim, por nuk mund ta përdorë praninë e tij për të legjitimuar një konsultim që realisht nuk ka ndodhur.
Gjykata e Lartë dhe gjyqësori nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë respektimin e Kushtetutës, të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të dinjitetit të një pushteti të pavarur. Për këto nuk ka dhe nuk do të ketë tërheqje,” thuhej në një deklaratë të Gjykatës së Lartë.
Po dje reagoi Shoqata Evropiane e Gjyqtarëve e cila deklaroi se mosrespektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese është i barasvlershëm me shkeljen e vetë Kushtetutës dhe të shtetit të së drejtës.
Si nisi përplasja
Gjykata Kushtetuese shfuqizoi në shkurt të këtij viti si të papajtueshme me Kushtetutën formulën e mëparshme të miratuar nga Kuvendi për pagat e magjistratëve dhe i la ligjvënësit afat deri më 31 korrik për miratimin e një formule të re.
Vendimi parashikonte gjithashtu një mekanizëm zhbllokues, sipas të cilit formula e re e pagave do të përcaktohej nga vetë organet qeverisëse të sistemit të drejtësisë në rast se Kuvendi nuk vepronte brenda afatit.
Pas përfundimit të afatit, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë përcaktuan një pagë bazë referuese prej 222 mijë lekësh dhe 14 mijë lekë shtesë për kualifikimin. Këshillat vendosën gjithashtu kompensimin e asaj që e konsideruan “ulje të fshehur” të pagave nga ligji i mëparshëm, për periudhën nga prilli 2023 deri më 31 korrik 2026.
Ministria e Financave refuzoi ta zbatonte këtë përllogaritje, ndërsa magjistratët iu drejtuan SPAK me kallëzim penal dhe Gjykatës Administrative me padi. Gjykata Administrative vendosi në favor të pagesës së gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas formulës së përcaktuar nga këshillat.
Përplasja mes institucioneve të drejtësisë dhe shumicës parlamentare pritet të vijojë pasi pr/ligji u miratua rreth orës 01:00 të 18 shtatorit.

