Edhe sot protestë kundër vendimit të Speciales ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Publikuar me datë:

Organizata e Veteranëve të Luftës ka thirrur protestë gjithëpopullore për sot në orën 12:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të kundërshtuar vendimin dënues të Speciales ndaj katër ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Të enjten në një konferencë për media nënkryetari i kësaj organizate, Gazmend Syla, ka thënë se protesta do të jetë paqësore dhe se për dhunë e persona me maska nuk do të ketë vend.

“Ju e dini, nuk është vendim i padrejtë vetëm ky i djeshmi. Me bashkëluftëtarë tanë, ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë mbushur burgje në kohën e UNMIK-ut me ish-udhëheqësit e UÇK-së”, ka thënë Syla. “Protesta jonë që organizohet nesër është paqësore, jo e dhunshme, pa maska, me fytyrat tona, kemi çka me tregu boll, fytyrat i kemi te ndershme, s’kemi nevojë fare të vendosim maska në protestë”.

Kjo ka qenë përgjigje për protestën e organizuar deri në orët e vona të mërkurën, menjëherë pas verdiktit dënues. Në mesin e protestuesve pati edhe të maskuar, ndërkaq me mjete të forta janë thyer edhe xhama të ndërtesës së Qeverisë.

Duke folur për vendimin e së mërkurës ndaj katërshes së UÇK-së, Syla ka thënë se me të është dënuar lufta për çlirim dhe se është tentuar të bëhet një balancë me krimet e kryera nga serbët gjatë luftës.

“Asnjë vendim nuk mund ta rishkruajë luftën tonë çlirimtare apo t’i njollosë ata që luftuan për liri. Që nga fillimi e kemi quajtur këtë gjykatë politike dhe procesin të pa-drejtë, gjë që sipas nesh, u dëshmua edhe dje”, ka thënë ai.

Përfaqësues të organizatës së veteranëve kanë shpalosur edhe një platformë për hapat kundërshtues që duhet të merren deri në përfundimin e procesit gjyqësor në shkallën e dytë, për rastin ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit.

Në platformë parashihet edhe një rivlerësim institucional i Dhomave të Specializuara, duke e lidhur atë me procesin që çoi në krijimin e këtij mekanizmi.

Një prej kërkesave kryesore të platformës është amendamentimi ose shfuqizimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara.

“Të kërkohet debat i posaçëm parlamentar dhe shqyrtim juridik i amendamentimit ose shfuqizimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Kërkesa duhet të mbështetet në Memorandumin Juridik që analizon bazën kushtetuese, dëshmitë relevante dhe pasojat e secilës alternativë. Rivlerësimi duhet të trajtojë edhe raportin ndërmjet pretendimeve që ishin pjesë e procesit që çoi në krijimin e mekanizmit, përfshirë raportin e Këshillit të Evropës, trajtimin e gjerë të organeve, mandatit të gjerë që iu dha Dhomave dhe rezultateve konkrete të hetimeve dhe proceseve”, ka thënë Fatmir Sopi, nënkryetar i organizatës së veteranëve të UÇK-së.

Platforma parasheh gjithashtu mbështetje të plotë juridike dhe financiare për proceset në Apel.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

U ndaluan pas tensioneve në tubimin e djeshëm, lirohen 25 protestuesit

25 personat e ndaluar pas tensioneve të regjistruara gjatë...

Iu plagos kolegu, avokatët në Durrës bojkotojnë për dy orë seancat gjyqësore

Avokatët kanë pezulluar aktivitetin në shenjë proteste pas plagosjes...

Aksidenti ku humbën jetën 3 të rinjtë nga Fieri/ Makina ishte me 150 km në orë, motori fluturoi 30 metra larg

Tre të rinj nga Fieri humbën jetën mbrëmë në një aksident tragjik në Athinë. Mediat greke kanë dhënë detaje për këtë ngjarje të rëndë, e cila po hetohet intensivisht nga autoritetet. Lexoni më poshtë raportimin e gazetës greke IN Tronditëse janë informacionet për aksidentin rrugor fatal me pesë të rinj në bord, kur automjeti u […]