SPAK ka hapur hetimet lidhur me çështjen e pagave të gjyqtarëve, ndërsa gazetarja Klodiana Lala raportoi për News24 se janë sekuestruar dokumentacionet përkatëse në Financat.
Më herët, gjyqtarët kanë paraqitur një kallëzim penal në lidhje me mosshlyerjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve për muajin gusht 2026.
Ky kallëzim kërkon që prokuroria të verifikojë të gjitha rrethanat që çuan në këtë situatë dhe të identifikojë individët që kanë marrë, transmetuar apo zbatuar vendimet që rezultuan në mosdhënien e pagave. Ndër personat e kallëzuar përfshihet edhe ministri i Financave, Petrit Malaj.
Në kallëzim nënvizohet se kjo problematikë nuk ka prekur vetëm një magjistrat, por ka përfshirë një numër të madh gjyqtarësh dhe prokurorësh në mbarë vendin.
Qëllimi i kallëzimit është që organet e drejtësisë të përcaktojnë përgjegjësinë individuale për çdo veprim ose mosveprim që ka sjellë mosekzekutimin e pagave.

