Italia mbështet integrimin e shpejtë të Shqipërisë, Tajani: Të synojmë vitin 2028

Publikuar me datë:

Italia bën thirrje që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian përpara vitit 2030. Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, u shpreh se vendet anëtare të BE-së duhet të përshpejtojnë procesin e anëtarësimit për Malin e Zi dhe Shqipërinë. Sipas tij, vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Evropës dhe duhet të integrohen në BE sa më shpejt të jetë e mundur.

“Mali i Zi është padyshim vendi që është gati për t’u anëtarësuar në BE se bashku me Shqipërinë. Kjo nuk do të thotë se të tjerët duhen përjashtuar, por, sipas mendimit tim, Mali i Zi dhe Shqipëria kanë bërë disa hapa më shumë përpara. Kemi një lidhje të fortë historike me Malin e Zi, ashtu siç kemi edhe me Shqipërinë, prandaj besoj se për Italinë duhet të mbetet prioritet arritja e një anëtarësimi të shpejtë të këtyre shteteve, duke koordinuar afatet kohore. Dikush përmendi vitin 2030, por unë besoj se edhe viti 2028 është një afat mjaft i largët. Kështu që do të bëjmë gjithçka për t’i mbështetur vendet kandidate me ndihmën dhe përvojën, si dhe me praninë tonë në Bruksel, në mënyrë që këto vende të mund të jenë sa më shpejt pjesë e Bashkimit tonë Evropian”, theksoi Tajani.

Gjatë bashkëbisedimit me temë “Përshpejtimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor, një zgjedhje strategjike për të ardhmen e Evropës”, Tajani deklaroi se ndonëse procesi i anëtarësimit duhet të mbetet me standarde të larta, ai nuk duhet të kthehet në një pengesë.

“Në këtë drejtim, megjithatë, Evropa nuk duhet të mbajë një qëndrim armiqësor; në procedurat e anëtarësimit duhet të jemi rigorozë, por jo pengues. Nëse e vonojmë procesin me një qëndrim burokratik, rrezikojmë ta humbasim politikisht Ballkanin, sepse ka interesa të ndryshme nga Rusia, Kina dhe vendet arabe. Për Italinë kjo është një përparësi politike”, shtoi ai.

Për më tepër, Tajani kritikoi idenë që Ukraina të ketë përparësi ndaj vendeve të Ballkanit në procesin e anëtarësimit në familjen evropiane, duke e cilësuar si një gabim të madh.

“Besoj se më vonë do të duhet të përqendrohemi te Ukraina, por nuk duhet të bëjmë gabimin që, ndërsa mbrojmë lirinë e Ukrainës dhe pavarësinë e saj, ta lëmë pas dore çështjen e Ballkanit deri në anëtarësimin e Ukrainës në BE. Ky do të ishte një gabim i rëndë. Ndërkohë, që punojmë për rrugën e anëtarësimit të Ukrainës dhe Moldavisë, duhet që të përshpejtojmë hapat për Ballkanin Perëndimor, i cili duhet të anëtarësohet në BE para Ukrainës. Do të ishte keq të humbisnim një realitet që ka një rëndësi të jashtëzakonshme për ne, për shumë arsye, përfshirë ato historike”, u shpreh më tej ai.

Këto deklarata nga kryediplomati italian pasuan paralajmërimin e presidentes së Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, për caktimin zyrtar të afateve se kur Mali i Zi dhe Shqipëria pritet të anëtarësohen plotësisht në Bashkimin Evropian.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related