Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pritet të synojë një mandat të ri presidencial në zgjedhjet e parakohshme, të cilat sipas mediave vendase mund të zhvillohen në prill të vitit 2028.
Këshilltari i lartë i presidentit, Mehmet Ucsum, deklaroi se, nëse sigurohet një shumicë parlamentare për të shpallur zgjedhje të parakohshme, procesi zgjedhor do të mund të mbahet më 16 prill 2028, duke shmangur datën kushtetuese të zgjedhjeve që është në muajin maj.
Sipas Ucsum, i cili citohet nga transmetuesi privat NTV dhe gazeta Cumhuriyet: “Nëse 360 deputetë mbështesin vendimin për të mbajtur zgjedhje të parakohshme, ato do të mbahen më 16 prill 2028”.
Ligji turk parashikon që zgjedhjet presidenciale të zhvillohen në maj të vitit 2028. Por, Kushtetuta lejon parlamentit t’i japë dritën jeshile mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, nëse ky vendim mbështetet nga të paktën 360 nga 600 deputetët e parlamentit.
Kjo lëvizje mundëson që Erdogan të kandidojë sërish për president. Aktualisht, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) së bashku me aleatin e saj, Partinë e Lëvizjes Nacionaliste (MHP), zotërojnë në parlament 326 vende.
Qeveria turke ka përsëritur vazhdimisht që zgjedhjet do të mbahen sipas afateve të planifikuara.
Erdogan ka ardhur për herë të parë në pushtet si kryeministër në vitin 2003 dhe u zgjodh në krye të shtetit në vitin 2014, pas tre mandateve si kryeministër. Që prej ndryshimit të sistemit të qeverisjes në presidencial, ai ka fituar zgjedhjet në vitin 2018 dhe më pas në 2023.
Gjatë një vizite të fundit në qytetin e tij të lindjes, Rize, në rajonin e Detit të Zi, fundjavën që shkoi, Erdogan dha të kuptohej se zgjedhjet e ardhshme mund të zhvillohen më herët, duke iu drejtuar mbështetësve të tij për “zgjedhjet e ardhshme”.
“Në këtë klimë uniteti dhe solidariteti, unë përsëris besimin tim se, me vullnetin e Zotit, ne do t’i kalojmë me sukses zgjedhjet e ardhshme”, tha Erdogan.
Komente të tilla nga Erdogan janë interpretuar nga vëzhguesit si një sinjal i mundshëm për zgjedhje të parakohshme, por zëdhënësi i AKP-së, Omer Celik, i ka hedhur poshtë këto spekulime.
“Nuk ishte një tregues i zgjedhjeve të parakohshme. Nuk ka zgjedhje në axhendën tonë”, u tha ai gazetarëve.
Gjatë rizgjedhjes së tij në maj 2023 – për atë që u konsiderua si mandati i fundit – Erdogan u përball me shqetësime të shtuara mbi të ardhmen ekonomike të vendit, duke premtuar se do t’ia linte drejtimin “rinisë sonë”.
Kryetari i opozitës, Ozgur Ozel, ka përsëritur kërkesat për zgjedhje të parakohshme që prej marsit të vitit 2025, atëherë kur kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu – i njohur si rival i fortë i Erdogan – u arrestua në një hetim për korrupsion që kritikët e kanë quajtur të motivuar politikisht.
Arrestimi i Imamoglu ndodhi pikërisht ditën kur CHP-ja e emëroi zyrtarisht kandidat për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
Pas një vendimi të debatuar gjyqësor që solli ndryshime në udhëheqjen e CHP-së, Özel krijoi partinë “Yeni Parti” (Partia e Re), duke siguruar mbështetjen e nevojshme të ligjvënësve për të marrë rolin e forcës kryesore të opozitës.
Ende nuk është e qartë se kush do të jetë kandidati kryesor i opozitës përballë Erdogan, pasi për sa kohë Imamoglu është në burg, ai praktikisht nuk mund të kandidojë.

