Le Monde kritikon vendimin e Hagës: “Gjykatë kontroverse, u mbështet edhe te prova nga Beogradi”

Publikuar me datë:

Hashim Thaçi, ish-presidenti i Kosovës, është dënuar me 25 vjet burg nga gjykata në Hagë, në një prej vendimeve më të rëndësishme të viteve të fundit për Kosovën.

Vendimi u bë publik të mërkurën, më 16 shtator, ku përveç Thaçit, u shpallën fajtorë dhe u dënuan edhe tre ish-drejtues të tjerë të UÇK-së.

Gjykata në Hagë shpalli të mërkurën aktgjykimin ndaj Thaçit, i cili u dënua me 25 vjet burg për krime lufte, duke i dhënë fund pritjes së gjatë për këtë çështje dhe duke shkaktuar pakënaqësi në Kosovë. Në procesin gjyqësor, Thaçi u gjykua së bashku me tre ish-komandantë të tjerë guerilë, dhe, sipas gjykatësve, ata u gjetën përgjegjës për arrestime të paligjshme, tortura, vrasje si dhe për trajtime çnjerëzore të kryera nga anëtarë të UÇK-së. Këto të dhëna i raportoi gazeta franceze Le Monde.

Mbështetësit e Thaçit u mblodhën në sheshin kryesor të Prishtinës për të ndjekur në ekrane gjigante aktgjykimin ndaj një figure që është konsideruar nga shumëkush si hero kombëtar.

Në momentin e shpalljes së dënimit, mbizotëroi heshtja në mesin e turmës, ndërsa shumë qytetarë u dukën të shtangur dhe të dëshpëruar nga rezultati, pas javësh mobilizimi për të pritur një vendim të mundshëm për pafajësi.

Bashkë me Thaçin, të pandehur ishin edhe Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli. Krasniqi u dënua me 25 vjet burg, Selimi me 13 vjet dhe Veseli me 18 vjet. Sipas gjykatës, të katërt u gjykuan përgjegjës për ndalime arbitrare dhe tortura ndaj qindra të ndaluarve, përfshirë 96 vrasje, por nuk u dënuan për krime kundër njerëzimit.

Mbështetje masive publike

Sipas gjykatës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi “kontribuan ndjeshëm” në një qëllim të përbashkët kriminal gjatë konfliktit, i cili kishte për synim eliminimin e kundërshtarëve të supozuar të synimeve politike dhe ushtarake të UÇK-së. Pas ngritjes së aktakuzës në vitin 2020, Thaçi dha dorëheqjen si president dhe iu dorëzua gjykatës, duke mbetur prej asaj kohe në paraburgim; kjo periudhë është përfshirë në dënimin e tij përfundimtar.

Për shumicën e qytetarëve të Kosovës, Thaçi dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës përbëjnë simbole të lëvizjes për pavarësi. Thaçi ka qenë një figurë kyçe politike edhe pas luftës, duke luajtur rol të madh në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Gjatë gjithë procesit gjyqësor, fotografia e tij, tashmë 58 vjeç, që ka qenë edhe kryeministër, është shfaqur nëpër billborde në të gjithë vendin.

Pritjet për një vendim që do të lironte Thaçin dhe të bashkëakuzuarit nxorën në rrugë mijëra vetë gjatë një mitingu të organizuar fundjavën e kaluar, ndërsa qindra qytetarë u grumbulluan sërish të mërkurën në Prishtinë, për të pritur rezultatin e gjykimit. Sapo u bë e ditur se ish-presidenti do të vazhdonte të qëndronte në burg, sheshi u boshatis pothuajse menjëherë.

“Një aktgjykim i tmerrshëm për Kosovën, për luftën tonë çlirimtare. Është një vendim i trishtueshëm, i padrejtë dhe i pamerituar”, u tha mediave jashtë gjykatës ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca. “Dënimi dhe një dënim kaq i rëndë për katër ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një padrejtësi e papranueshme, një ndëshkim i madh dhe i dëmshëm”, shkroi kryeministri Albin Kurti në Facebook pasi u shpall dënimi.

Gjykatë e debatueshme

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK), të cilat ndodhen në Holandë dhe përbëhen nga gjykatës ndërkombëtarë, janë themeluar sipas ligjeve të Kosovës për të hetuar veprimet e supozuara si krime të pjesëtarëve të UÇK-së gjatë luftës. Para krijimit të kësaj gjykate, hetimet brenda Kosovës shpesh dështonin për shkak të frikësimit të dëshmitarëve dhe ndërhyrjeve nga politika. Që prej fillimit të punës, kjo gjykatë ka qenë një nga institucionet më të kritikuara në vend, shpesh akuzuar për anshmëri politike, sidomos për përdorimin e provave të ofruara nga Serbia, e cila nuk njeh pavarësinë e Kosovës.

Gjatë gjithë procesit, prokurorët kanë këmbëngulur të dallojnë luftën për pavarësi nga krimet për të cilat po akuzohen drejtuesit e UÇK-së. Ata pretendojnë se të katër personat mbajnë përgjegjësi për abuzimet ndaj të burgosurve të mbajtur në burgjet e UÇK-së në Kosovë e Shqipëri dhe për vrasje politike të civilëve serbë, shqiptarë dhe romë. Krimet, sipas prokurorisë, ndodhën gjatë dhe menjëherë pas konfliktit të viteve 1998-1999, në të cilin u raportuan rreth 13,000 viktima.

Avokatët e të akuzuarve, nga ana tjetër, kanë argumentuar se në UÇK mungonte një hierarki strikte komanduese, duke thënë se drejtuesit e lartë nuk kishin mundësi të kontrollonin apo të përgjigjeshin për çdo veprim të luftëtarëve nën komandën e tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related