Pas vendimit të fundit të Gjykatës Speciale në Hagë, të cilin shumë e kanë cilësuar si skandaloz, deputetët në Kuvendin e Kosovës kanë nisur lëvizje të reja për të çuar drejt zhbërjes së kësaj gjykate. Këto veprime vijnë edhe si përgjigje ndaj një thirrjeje të ngjashme të bërë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas raporteve të mediave në Kosovë, tashmë ka filluar grumbullimi i nënshkrimeve për një seancë të jashtëzakonshme, ku pika e vetme e rendit të ditës do të jetë diskutimi për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Deputetë nga partitë opozitare kanë ndërmarrë hapa konkretë, duke nisur procesin e mbledhjes së nënshkrimeve me procedurë të përshpejtuar.
Kjo gjykatë, e njohur me emrin zyrtar Dhomat e Specializuara të Kosovës, u krijua më 3 gusht 2015. Themelimi i saj erdhi si rezultat i një presioni të fortë ndërkombëtar dhe synonte të hetonte krimet e pretenduara të luftës, të kryera nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shpërbërja e Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës mbetet megjithatë një proces kompleks. Përveç votës së nevojshme nga deputetët, një veprim i tillë kërkon edhe miratimin nga faktorët ndërkombëtarë të përfshirë në këtë çështje.
Për ngritjen e Gjykatës Speciale, Kuvendi i Kosovës ndërhyri në Kushtetutë duke shtuar Nenin 162. Ky nen, ashtu siç theksojnë ekspertët e të drejtës kushtetuese, përcakton se mandati i Dhomave të Specializuara vazhdon automatikisht deri në momentin kur Këshilli i Bashkimit Evropian njofton Kosovën se hetimet dhe procedurat gjyqësore janë përfunduar.

