Një incident me armë zjarri në një dyqan në lagjen Fatih të Stambollit, njëra prej zonave më të frekuentuara nga turistët në metropolin turk, ka lënë të vdekur tre persona dhe ka plagosur një tjetër.
Mediat turke raportojnë se ngjarja u shkaktua pas një debati mes një klienti dhe pronarit të dyqanit. Detajet paraprake, të cilat mbeten ende të pakonfirmuara zyrtarisht, sugjerojnë se sherri mund të ketë shpërthyer në një pikë këmbimi valutor.
Sipas njoftimeve të agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu, policia ka vënë në pranga një të dyshuar në vendngjarje.
Ndërsa, agjencia private DHA publikoi pamje nga vendi i ngjarjes, ku dallohet një person që po transportohet me barelë drejt një ambulance.
Autoritetet në Turqi kanë hapur hetim për të sqaruar rrethanat dhe arsyet që çuan në këtë ngjarje të rëndë.

