Për dekada me radhë, rruga e Komanit është konsideruar një prej akseve problematike dhe të rrezikshme në veri të vendit. E ndërtuar rreth 50 vite më parë, rruga tashmë ka pësuar një transformim pas ndërhyrjes për rikonstruksion.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë mëngjes pamje të aksit të rikonstruktuar, duke vënë në fokus edhe peizazhin natyror që e rrethon.
“Mirëmëngjes dhe me rrugën e transformuar të Komanit, mes një peizazhi spektakolar të veriut shqiptar, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Punimet për rikonstruksionin e rrugës nisën në shkurt të vitit 2025, me një fond prej rreth 2.5 miliardë lekësh.
Aksi ka rëndësi jo vetëm për banorët e zonës, por edhe për turizmin, pasi krijon lidhje me disa prej destinacioneve më të vizituara të veriut, përfshirë Liqenin e Komanit, Lumin e Shalës, Valbonën, Thethin dhe Currajt e Epërm, si dhe vijon drejt Kosovës.

