Dy automjete luksoze janë ndaluar nga Policia e Lezhës gjatë kontrolleve të zhvilluara në aksin Milot–Lezhë.
Burime nga policia bëjnë me dije se në kuadër të kontrolleve janë ndaluar një “Mercedes-Benz” i blinduar dhe një “Audi A6”. Në drejtimin e tyre ishin dy të rinj, përkatësisht 27 dhe 20 vjeç, të dy banues në Shkodër.
Gjatë kontrollit të automjeteve nuk janë gjetur sende të paligjshme. Megjithatë, të dyja makinat janë bllokuar administrativisht, pasi drejtuesit nuk dispononin dokumentacionin e nevojshëm.
Kontrollet e përbashkëta të forcave operacionale, “Shqiponja” dhe Policisë Rrugore pritet të vijojnë, me qëllim verifikimin e dokumenteve, origjinës së automjeteve dhe burimit të pasurisë.

