Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka reaguar kundër planeve për ndërtimit në Zvërnec, duke akuzuar qeverinë e Edi Ramës se po synon ta kthejë zonën e mbrojtur në një “qytet oligarkësh”, me vila, hotele, restorante, dyqane dhe tashmë edhe spital.
Rama ka folur në intervistën për një fakt te kryer që do të ndodhin këto ndërtime.
Zhupa kundërshton ndërtimet në zonën e mbrojtur, duke argumentuar se një spital nuk mund të përdoret si justifikim për betonizimin e territorit, ndërsa kërkon investime dhe funksionalitet për spitalet që u shërbejnë qytetarëve.
Ajo thekson se protesta kundër projekteve në Zvërnec do të vijojë, duke deklaruar se kjo zonë është pasuri publike e shqiptarëve dhe jo pronë e oligarkëve.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
Rama po e bën fakt qytetin e oligarkëve në Zvërnec!
Vila, hotele, restorante, dyqane dhe tani edhe spital në shërbim të tyre. Nëse ndodh ndonjë gjë, të paktën oligarkëve nuk do t’u duhet të humbin kohë për t’u larguar jashtë vendit, sepse do t’i kenë kushtet e duhura aty pranë. Ndërsa për qytetarët e thjeshtë, Rama na jep edhe “lajmin e madh” se nëse kanë para, mund të shkojnë në hotel e të bëjnë plazh në këtë parajsë të re të betonit në disa nga zonat që do jenë të mundura.
A mendon vërtet Rama se do të mallëngjehet dikush sepse do të ndërtohet një spital brenda një zone të mbrojtur për “qytetin e ri të oligarkëve”?! Spitalet e Shqipërisë, dhe veçanërisht ai i Vlorës, kanë nevojë për dinjitet, investim dhe funksionalitet dhe duhet nisur me to.
Po lodhet kot të paketoj bukur bashkë me një spital atë që nuk duhet të ndërtohet fare! Zvërneci është zonë e mbrojtur, planet ndërtimore për vila, hotele, restorante e komplekse të tjera nuk bëhen të pranueshme thjesht sepse u vihet një emër i bukur apo shtohet edhe një spital.
Dhe qytetarët nuk po heshtin. Protesta vazhdon dhe do ta bëjmë të pamundur çdo plan për grabitjen dhe betonizimin e vendit!
Zvërneci nuk është qytet oligarkësh, është pasuri publike e shqiptarëve. Shqipëria nuk është pronë e Ramës dhe Ronëve apo Agasëve të rradhës!

