Tenderi 4.5 miliardë lekë për hemodializën, vetëm një kompani në garë/ Dy “RedFlag” nga Open Procurement Albania

Publikuar me datë:

Një kontratë me vlerë rreth 4.56 miliardë lekë për ofrimin e shërbimit të hemodializës në pesë qytete të vendit është fituar nga një kompani e vetme, ndërsa procedura është shoqëruar me dy sinjale risku të evidentuara nga platforma Open Procurement Albania.

Bëhet fjalë për tenderin e zhvilluar nga Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit sh.a., me objekt “Ofrimi i shërbimit të hemodializës në 5 qendra të hemodializës”, në spitalet e Shkodrës, Lezhës, Korçës, Vlorës dhe Elbasanit, me kohëzgjatje 48 muaj.

Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit (OSHIS), është një shoqëri aksionare 100% shtetërore, pronësia e së cilës i përket Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Fondi limit i procedurës ishte 4 miliardë e 591 milionë e 430 mijë e 480 lekë, ndërsa oferta e shpallur fituese ishte 4 miliardë e 440 milionë e 664 mijë e 800 lekë pa TVSH.

Ajo që ngre pikëpyetje në këtë procedurë është niveli i konkurrencës. Në garë është paraqitur vetëm një operator ekonomik, kompania Diaverum AB, e cila në fund është shpallur edhe fituese.

Vetëm një kompani në garë

Sipas të dhënave të publikuara, procedura kishte 1 operator konkurrues dhe asnjë operator të skualifikuar.

Pra, oferta fituese ishte e vetmja ofertë e paraqitur në tender.

Vetë fakti që ka vetëm një ofertues nuk përbën automatikisht shkelje ligjore, pasi legjislacioni shqiptar lejon që një procedurë të vijojë edhe në kushtet e mungesës së konkurrencës.

Megjithatë, pikërisht ky element është evidentuar si “RedFlag”, pasi sipas metodologjisë së Open Procurement Albania, procedurat me një konkurrent të vetëm mund të kërkojnë vëmendje të shtuar, veçanërisht kur ekzistojnë edhe rrethana të tjera që mund të ndikojnë në konkurrencë.

Në këtë rast, sinjali i parë i riskut shoqërohet me një tjetër element, shkurtimin e afatit për përgatitjen dhe dorëzimin e ofertave.

Vetëm 15 ditë për një kontratë miliardëshe

Në dokumentet standarde të tenderit, autoriteti kontraktor ka parashikuar shkurtimin e afatit për pranimin e ofertave në 15 ditë.

Justifikimi zyrtar lidhet me urgjencën për garantimin e vazhdimësisë së shërbimit të hemodializës, i cili konsiderohet shërbim shëndetësor esencial dhe jetik.

Autoriteti argumenton se kontrata ekzistuese po përfundonte, ndërsa koha në dispozicion për zhvillimin e procedurës së re ishte e kufizuar.

Në arsyetim përmendet edhe mundësia e zgjatjes së procedurës për shkak të ankesave dhe procedurave të tjera të lidhura me prokurimin.

Por pikërisht ky afat i shkurtuar është konsideruar RedFlag i dytë nga Open Procurement Albania.

Sipas vlerësimit të platformës, një afat i tillë mund të krijojë shqetësime lidhur me mundësinë reale që operatorët ekonomikë të përgatisin një ofertë teknike dhe të gjithë dokumentacionin e kërkuar për një procedurë të kësaj përmase.

4.56 miliardë lekë dhe vetëm një ofertë

Në total, bëhet fjalë për një nga kontratat me vlerë të konsiderueshme në sektorin e shërbimeve shëndetësore, rreth 4.56 miliardë lekë, për një periudhë katërvjeçare.

Procedura u njoftua më 17 gusht 2026, ndërsa afati i dorëzimit të dokumenteve dhe zhvillimit të tenderit ishte 1 shtator 2026.

Më 10 shtator 2026, autoriteti njoftoi fituesin.

Në fund, gara prodhoi vetëm një ofertë dhe ajo u shpall fituese.

Kjo ngre një pyetje të natyrshme për transparencën dhe konkurrencën në një kontratë me vlerë miliarda lekë, a ishte afati 15-ditor dhe mënyra e hartimit të procedurës i mjaftueshëm për të garantuar një garë sa më të gjerë?

Nuk ka të dhëna në dokumentet e publikuara që këto elemente të provojnë një favorizim apo korrupsion. Por kombinimi i dy RedFlag-eve, një ofertues i vetëm dhe afati i shkurtuar, e bën procedurën një rast që meriton vëmendje dhe verifikim të mëtejshëm.

Veçanërisht për shkak të vlerës së kontratës dhe rëndësisë së shërbimit që po prokurohet.

Në dokumentacionin e publikuar nuk rezultojnë ankesa nga operatorë ekonomikë dhe nuk ka operatorë të skualifikuar duke qenë se ishte vetëm një konkurues në garë.

Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse institucionet përgjegjëse do të analizojnë arsyet pse një kontratë e tillë, që mbulon pesë qendra hemodialize në vend, përfundoi me vetëm një kompani në garë.

Pra tenderi 4.56 miliardë lekë për hemodializën është zhvilluar nga një shoqëri 100% shtetërore në pronësi të Ministrisë së Shëndetësisë, ndërkohë që fituesi është një kompani private suedeze dhe në garë ka qenë vetëm një operator, gjë e cila ngre dyshime të forta për favorizim dhe korrupsion.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related