Një operacion policor i koduar “Implikimi” ka çuar në pranga 40-vjeçarin Adrian Gjebeshi, me precedentë të mëparshëm penalë, pasi në hotelin në pronësi të tij në Krujë u gjetën sende të kundërligjshme dhe para të dyshuara nga aktivitete kriminale.
Aksioni u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në kuadër të kontrolleve të intensifikuara ndaj personave me rrezikshmëri shoqërore.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e subjektit (hotel) në pronësi të Gjebeshit, forcat e rendit gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri (pistoletë); 1 krehër me 20 fishekë luftarakë; 1 jelek antiplumb dhe 20 000 euro të dyshuara të përfituara nga veprimtari të kundërligjshme.
Në përfundim të veprimeve procedurale, Policia kreu arrestimin në flagrancë të 40-vjeçarit. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet po vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.

