Një 27-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Korçë, pasi është kapur duke transportuar kundrejt pagesës 11 emigrantë nga vendet e treta, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufirin drejt Malit të Zi.
Sipas Policië, u arrestua në flagrancë shtetasi J. S., 27 vjeç, banues në Tepelenë, ndërsa janë shpallur në kërkim dy persona të tjerë, F. S., 31 vjeç, banues në Fier, dhe G. H., 58 vjeç, banues në Lushnjë, të cilët dyshohet se bashkëpunonin në këtë veprimtari.
Sipas Policisë, emigrantët, 10 shtetas nga Bangladeshi dhe një nga Pakistani, kishin hyrë ilegalisht në territorin shqiptar nga zona e Kapshticës dhe synonin të vijonin rrugën drejt Shkodrës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit me Malin e Zi.
Gjatë operacionit, Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale automjetin me të cilin transportoheshin emigrantët dhe një celular.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

