Interesi i madh i publikut për veprat e Gjon Milit ka bërë që ekspozita “Retrospektivë”, e çelur në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, të qëndrojë e hapur edhe për një muaj.
Vizitorët shqiptarë dhe të huaj kanë treguar interes të veçantë për ekspozitën kushtuar fotografit me origjinë shqiptare, duke bërë që muzeu të vendosë për zgjatjen e afatit të saj.
Drejtori i “Marubit”, Luçian Bedeni, thotë se bëhet fjalë për një prej ekspozitave më të vizituara të viteve të fundit. Sipas tij, zgjatja e kohëzgjatjes synon t’u japë mundësi edhe atyre që nuk kanë arritur ta vizitojnë deri tani.
Gjon Mili u shqua veçanërisht për mënyrën novatore të përdorimit të fotografisë, duke e shfrytëzuar dritën për të kapur lëvizjen dhe për të krijuar imazhe që ndryshuan mënyrën tradicionale të paraqitjes së kohës në fotografi.
Pas përfundimit të ekspozitës, Muzeu “Marubi” synon të ndërmarrë një tjetër hap për promovimin e trashëgimisë artistike të Milit, përmes një aplikimi në UNESCO lidhur me teknikat dhe metodat e tij novatore.
Përtej famës ndërkombëtare, Gjon Mili zë një vend të veçantë edhe në historinë kulturore shqiptare. Krijimtaria e tij vijon të tërheqë vëmendjen edhe në epokën e fotografisë digjitale, duke dëshmuar se drita, lëvizja dhe koha mund të shndërrohen në mjete të fuqishme artistike.

