Eksperti i sigurisë, Ervin Karamuço, ka sjellë të dhëna të reja mbi ngjarjen tragjike që ndodhi në Shkodër, ku u vra Ylber Luli dhe mbeti i plagosur babai i tij. Sipas tij, edhe autori i kësaj vrasjeje ka pësuar plagë gjatë incidentit.
Karamuço shpjegoi se ngjarja mori rrugë pas një debati të nisur në një lokal, ku më pas autori ka qëndruar për orë të tëra duke pritur viktimën derisa ai u kthye në banesë. Ky moment ka sjellë një përplasje të re që përfundoi me fatalitet.
“Mund të ketë pasur ndonjë histori të mëparshme, qoftë ndonjë konflikt, ndonjë fërkim, ndonjë gjë. Dhe pastaj në lokal, se aty ka filluar e gjithë debati, fillimisht debat me tone të larta dhe pastaj përplasje fizike. Dhe pastaj personi, një nga personat është larguar, ka vajtur në shtëpi.
Ky tjetri me një shokun e tij ka ndenjur gati tre orë në makinë duke pritur se mos vinte prapë në lokal. Ai nuk ka dalë më nga banesa. Ai shoku i vet ka ikur, pra po ja tregoj një narrativë se kështu na ndodh në shumë raste. Në dhjetëra e në dhjetëra raste. Po ne tregojmë vetëm këto që janë me humbje jete, po nuk tregojmë ato që janë me plagosje të rënda dhe të lehta.
Dhe pastaj në ora 5:00 ky nuk duron më, mbase mund të ketë qenë edhe në efektet e alkoolit ose të preparateve dhe lëndëve të tjera, nuk e dimë këtë ta themi. I shkon në banesë, troket edhe i armatosur siç ishte. Del fillimisht ai djali që kishte pasur konfliktin e mëparshëm, përplasen fizikisht, del babai me thikë, e godasin. Ka një plagosje dhe vetë autori, nxjerr pistoletën, vret djalin dhe plagos babanë”, tha ai ndër të tjera.

