Gjatë një kontrolli të realizuar nga Guardia di Finanza në një pikë të autostradës në Ventimiglia, në rajonin italian të Ligurias, u sekuestruan 157 kilogramë kokainë.
Policia ndaloi për verifikim një kamion që kishte në rimorkio kuaj. Dyshimet u shtuan kur sjellja e shoferit tërhoqi vëmendjen e efektivëve, të cilët vendosën të kryenin një inspektim të detajuar të mjetit. Duke përdorur qentë antidrogë, oficerët gjetën një hapësirë të fshehur brenda automjetit, ku ishin fshehur dërgesat me kokainë.
Shoferi, një burrë në moshë të mesme, nuk kundërshtoi dhe u arrestua, duke u akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Aktualisht, ai po mbahet në paraburgim. Sipas të dhënave të autoriteteve, droga e kapur ka një vlerë mes 5 dhe 7 milionë euro. Në rast se do të përzihej me substanca të tjera dhe do të dilte në tregun e rrugës, vlera e saj mund të ngjitej në 11 deri në 14 milionë euro.
Një raport për trafikun e drogës në Liguria evidenton përfshirjen e grupeve kriminale të ndryshme në këtë aktivitet. Përveç pranisë së fuqishme të Ndranghetës, raporti vë në dukje rritjen e ndikimit të grupeve shqiptare, të cilat, sipas dokumentit, nuk janë më të kufizuara në role dytësore, por po marrin pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në procesin logjistik – nga marrja, deri te magazinimi dhe shpërndarja e drogës.
Kokaina vjen kryesisht nga Kolumbia, Peruja dhe Bolivia, për t’u transportuar në Evropë nëpërmjet rrugëve detare dhe ajrore.
Portet kryesore të hyrjes së këtij lloji të lëndës narkotike janë Spanja, Belgjika, Holanda dhe Italia. Pas hyrjes, shpërndarja në pjesë të ndryshme të Evropës realizohet me rrjetin rrugor, duke u përdorur kamionë dhe furgonë.

