Gazetari Arjon Sulo ka komentuar ngjarjen e rëndë të ndodhur të enjten në një hotel në Radhimë, pronar i të cilit kërcënua me jetë nga disa persona të armatosur.
Sulo u shpreh se përplasja mes biznesmenëve Vasil Bedinaj dhe Luan Muça nuk është një konflikt i rëndomtë, por një çështje pronësie e pazgjidhur për të cilën sipas tij shkaktar është së pari shteti.
“Institucionet, fatkeqësisht për mua, e kanë krijuar problemin. Se çështja është pronësie, është ajo plagë e pazgjidhur për 36 vjet në Shqipëri. Po t’i shtosh faktin që janë biznesmenë dhe që kanë qenë 20 veta të armatosur, është shmangur një konflikt me armë në sezon. Jemi në qytetin e dytë bregdetar më të madh, është një ngjarje e tmerrshme për të gjithë vendin. Shkaku i konfliktit…. gjobëvënia, është përdorur nga policia pak si metaforë. Nëse Bedinajt i shkojnë dy njerëz që nuk i njeh dhe i kërkojnë 5 mln euro mund të quhet gjobëvnie, në rastin konkret ata kanë qenë duke konsumuar një bisedë dhe gjakrat janë nxehur dhe është kërkuar nga ana e biznesmenit Luan Muça që çështja të zgjidhej me një kompensim financiar prej 5 mln euro. Muça ka pretendime mbi pronën që ka marrë Bedinaj në Dhërmi. Shteti i ka bërë të dy pronarë, konflikti është pronësie. Prona që është rrethuar nga Bedinaj pretendohet edhe nga Muça”, tha Sulo.

