Debati për përdorimin e helikopterëve, QKUM sqaron kriteret: “Urgjenca nuk pyet për kombësinë”

Publikuar me datë:

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka reaguar lidhur me diskutimet e krijuara ditët e fundit për përdorimin e helikopterëve në raste urgjente, veçanërisht pas ndërhyrjeve për turistë të huaj në zonën e Thethit.

Përmes një sqarimi publik, QKUM bën të ditur se dërgimi i helikopterit nuk vendoset në bazë të një kriteri të vetëm, por pas vlerësimit të gjendjes së pacientit dhe kushteve konkrete të misionit.

Sipas institucionit, në vendimmarrje merren parasysh rrezikshmëria e gjendjes klinike, koha dhe distanca që nevojiten për transportin me ambulancë, nevoja për trajtim në një spital të specializuar, si edhe kushtet atmosferike dhe mundësitë operative.

QKUM sqaron se edhe një rast i klasifikuar si “kod i kuq” nuk do të thotë automatikisht se transporti duhet të kryhet me helikopter. Në varësi të vendndodhjes dhe aksesit rrugor, ambulanca mund të jetë alternativa më e shpejtë për mbërritjen e pacientit në spital.

Institucioni nënvizon gjithashtu një kufizim aktual të shërbimit: misionet mjekësore me helikopter nuk ofrohen gjatë orëve të natës.

Sa i përket debatit se përse ky shërbim është përdorur edhe për turistët e huaj, QKUM i referohet kuadrit ligjor shqiptar. Sipas nenit 4 të ligjit nr. 147/2014 “Për shërbimin e urgjencës mjekësore”, urgjenca u ofrohet si shtetasve shqiptarë, ashtu edhe shtetasve të huaj që ndodhen në territorin e Shqipërisë.

Pra, sipas QKUM, kombësia e pacientit nuk është kriter për vendosjen e një misioni. Ajo që përcakton ndërhyrjen është gjendja shëndetësore dhe urgjenca e rastit.

“Urgjenca mjekësore nuk pyet për kombësi. Ajo vlerëson gjendjen klinike, rrezikun për jetën dhe kohën që kemi në dispozicion për ta shpëtuar atë”, thuhet në reagim.

QKUM e konsideron ofrimin e ndihmës mjekësore për çdo person që ndodhet në Shqipëri jo vetëm një detyrim ligjor, por edhe një përgjegjësi profesionale dhe njerëzore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related